Përse amerikanët i duan kaq shumë armët?

Autori:Avdyl Pajaziti

Lista e vendeve dhe fateve tragjike të personave që e kanë pësuar prej tij në SHBA është vërtet e gjatë, e po zgjatet edhe më tej. Askund tjetër në botë nuk gjenden më shumë armë në pronësi private, sesa në SHBA. Jemeni është i dyti, nëse do të donit ta dinit, por vetëm se me shumë distancë. Në asnjë vend tjetër të industrializuar të botës moderne, numri i viktimave që janë shkaktuar nga armët e zjarrit në duar të njerëzve, nuk është më i lartë sesa në SHBA. E megjithatë, një miksturë mes historisë, kulturës, politikës dhe parave, është ajo e argumenteve që ofrohen për një ndryshim vendimtar të legjislacionit në lidhje me posedimin e armëve. E siç duket, kjo çështje do vazhdojë të jetë kështu edhe për një kohë të gjatë.
Ja cilat janë disa prej arsyeve që e mundësojnë atë, sipas vlerësimeve kritike të platformës prestigjioze “Huffington Post”:
Simbolika
Shqiponja është njëra ndër simbolet kombëtare të Amerikës. Por po aq mirë në vend të saj mund të ishte dhe arma. Madje, më mirë do të ishte një armë me qytë të gjatë nga Kentucky apo nga Pennsylvania. Një armë me precizion, që perfeksionohet nga mjeshtër farkëtarë të emigruar prej kohësh nga Gjermania. Kjo armë ua mundësoi dikur kolonizatorëve europianë, të gjuanin kafshë në pyjet pa fund të kontinentit të ri, të hynin në negociata me vendasit autoktonë indianë e t’i luftonin ata dhe të realizonin goditje nga distanca mbi trupat e armatosur rëndë franceze e ato britanike.
Por vetëm se gjuajtjet me precizion në kohën koloniale kontribuuan në një masë të madhe për fitoren e Pavarësisë së SHBA-së, kjo nuk do të thotë se amerikanët do të duhej të kishin mundësinë të blinin çdo vit nga 12 pistoleta të “Glock”-ut ( firmë që prodhon armë në SHBA).
Sidoqoftë, ndër të tjera edhe organizata me shumë pushtet në SHBA, “National Rifle Association”, pra “Shoqata Kombëtare e Pushkëve” siç njihet shkurt me akronimin NRA, lobi amerikan i të pasionuarve pas armëve, e cila historinë e shënjuar nga armët e SHBA-së, prej kohësh po e përdor si mburojë për qëllimet e veta.
Tematika në fjalë, sigurisht se përmban brenda një masë të madhe emocionale. Si reporter në Kentucky dhe Tennessee, mua më është dhënë rasti të vizitoj ndonjë shtëpi, shtëpi të pasurish atje, ku rëndom mbi oxhak shihet një armë e varur, në mënyrë që në rast rreziku, të merret shpejt në duar. Sot, ato janë simbole të krenarisë, të patriotizmit dhe të dashurisë për lirinë.
“Bëhet fjalë për pushtet, dhe pushtet të individëve për të marrë vendime“, thotë Craig Shirley, një historian dhe zëdhënës i NRA-së.
Asnjë vend në botë nuk ka një histori të tillë. As Australia, historia e të cilës është shënjuar shumë nga dhuna. Australia ia ka dalë ta reduktojë ndjeshëm numrin e armëve në përdorim privat. Vendi i madh posedon një tjetër ADN. Banorët autoktonë të Australisë nuk u shfaqën armiqësorë ndaj europianëve që erdhën t’i kolonizonin. Të ardhurit rishtazi, nuk luftuan me mbështetjen e ushtrive europiane. Dhe meqë ra fjala, as kundër fqinjëve të tyre të dobët. Australia e fitoi pavarësinë e saj, jo nëpërmjet luftës.
Kushtetuta amerikane
SHBA nuk është i vetmi vend që e ka të sanksionuar në Kushtetutë mbajtjen e armëve në përdorim privat. Meksika dhe Guatemala janë gjithashtu dy vende të tjera. Por fryma e germave të Kushtetutës amerikane, të jep shumë më tepër hapësira për interpretim në rast përballjeje me instancën më të fundit gjyqësore, e cila nga ana tjetër, posedon shumë pushtet.
Baballarët e kombit amerikan e mbështesin të drejtën, “për armëmbajtje“. Është pjesë e bindjeve të tyre, se një numër i madh pushtetarësh të ndryshëm brenda kombit, do të mund t’i bënin ballë një tiranie centraliste. Nga kjo arsye, neni i dytë i Kushtetutës së SHBA-së, është formuluar në atë mënyrë, që e drejta e çdokujt për të siguruar një shtet të lirë me anë të armëmbajtjes, të mos ndikohet nga qeveria.
Me kohë, sidoqoftë, ky nen apo amendament shtesë, nisi të shihej gjithnjë e më shumë si një e drejtë themelore e individit. Do të ishte shumë e vështirë, madje ndoshta fare e pamundur, t’i viheshe kundër kësaj bindjeje shumë parimore.
chicago-gun-law-shootings
Vetëmbrojtja
Që nga gjuetarët e parë të peliçeve, skautistëve e deri te kaubojt e ditëve të sotme – tradita për të mbajtur një armë për vetëmbrojtje, në “Perëndimin e egër” apo në xhungël, është rrënjosur thellë. Deri vonë në shekullin e njëzetë, mbrojtja nga policia nuk shihej si një problem shumë i rrahur. Veç kësaj, asokohe, shumë njerëz, për shkak të sipërfaqes së pamasë të vendit, nuk mund të vareshin apo shpresonin dot për ndonjë ndihmë emergjente e efektive nga stacionet më të afërta policore.
Etosi i “Perëndimit të egër” lulëzon gjithnjë atëherë kur diku një komunitet bëhet viktimë e dhunës. Një rezultat tragjik, por i pashmangshëm i të shtënave të fundit, është një rritje e mbështetjes ndaj posedimit privat të armëve. Dhe madje, nga një arsye e thjeshtë: për të mbrojtur veten dhe pragun e shtëpisë.
Biznesi i madh
NRA-ja e sheh veten me krenari si një mbrojtës të Kushtetutës, por në të njëjtën kohë, sillet si një forum apo shoqatë ekonomike. Tekefundit, është në interesin e NRA-së të mbrojë prodhuesit e armëve të zjarrit dhe të shtojë numrat e armëve të shitura. E kështu sot, edhe më shumë po lulëzon biznesi i armëve. Nga biznesi me armët, çdo vit në SHBA fitohen aktualisht 10 miliardë dollarë.
Ndikimi rural
Amerikanët, sikurse çdo popull në botë, kanë tendencën që të vendosen në qytetet metropolitane ose zonat e mëdha të banuara. Por votat e popullsive fshatare në politikën amerikane, sikurse më parë, janë forcuar në mënyrë joproporcionale. Nëpërmjet sistemit zgjedhor në SHBA dhe ndarjes së vendeve në shtete të ndryshme federale në Kongresin Amerikan, preferohen zakonisht shtetet republikane. Këto shtete, shpesh janë të banuara jo dendur, të shënjuara nga lëvrimi i bujqësisë dhe nga mbështetja për ligjin për posedimin e armëve në pronësi private. Por edhe shtetet që udhëhiqen nga demokratët, i shohin me një tendencë tolerante ligjet e armëmbajtjes.
Hollivudi
Industria e zbavitjes shet një mit. Ajo shet patriotizëm, konflikte, heroizëm dhe gjak – çka nënkupton se armët glorifikohen në filma e seriale televizive. Në vitet 1950 dhe ’60, ka pasur seriale televizive, të cilat si qëllim kishin të vendosnin cilësitë e veçanta të përdorimit të armëve në protagonistët kryesorë në film: “Rejnxheri i vetmuar”, “Në perëndim të Santa Fé-së“ dhe “Yancey Derringer“, për të mos përmendur të tjerë.
Qysh nga D. W. Griffith e deri te John Ford e Quentin Tarantino, ata të gjithë kanë pasur armë në filmat e tyre, ku kanë luajtur në rolet kryesore.
protesat-kunder-armembajtjes_1
Goditja vdekjeprurëse politike
Në një mënyrë që u përshtatet rrethanave, NRA është bërë “qyta e gjatë” e politikës amerikane. Ajo synon që me një fuqi vdekjeprurëse të arrijë – me shumë precizion – objektivin e vet: të shmangë e paralizojë çdokënd që kundërshton ligjet amerikane të armëmbajtjes.
Është strategji e saj që t’i përshtatet politikës moderne amerikane: koalicione të gjera partish, kanë më pak peshë sesa grupet e interesit të mirëfinancuara për një qëllim të mirëpërcaktuar.
Ndikimi i NRA-së në Kongres është legjendar dhe thuajse i pakonkurrueshëm. Për këtë arsye, edhe pas masakrës së Roseburgut, nuk do të ketë ndonjë ndryshim në ligjin amerikan të armëmbajtjes. Dhe as pas katastrofës së radhës. (Huffington Post -Gazeta Shqip)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/perse-amerikanet-i-duan-kaq-shume-armet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala