Përmbytje të rënda në Turqi (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Për Bodrumin, njërin prej destinacioneve më të preferuara turistike të Turqisë, pamje të tilla nuk janë të zakonta.

Tri orë shiu të dendur të së martës mjaftuan, që rrugët e qytetit të mbuloheshin nga “lumenj” uji, që morën përpara makina e i bllokuan njerëzit në shtëpitë e tyre.

Dëmet ishin më të dukshme në rrugët Shakir dhe Dere, ku ujërat rrëmbyen të paktën 20 automjete.

Punonjësit e kërkim-shpëtimit vepruan me shpejtësi, duke shpëtuar drejtuesit e bllokuar në makinat e tyre.

Së bashku me ekipet e zjarrfikësve, ata arritën të largojnë edhe të paktën 40 persona nga shtëpitë e rrezikuara prej furisë së ujërave.

Me dhjetëra shtëpi e biznese u dëmtuan prej përmbytjeve të befasishme, ndërsa banorët e Bodrumit ankohen se, shkak i mbushjes së qytetit me ujë brenda një harku aq të shkurtër kohe, janë bërë ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve në kuadër të projekteve për zhvillimin urban.

Të paktën 8 persona të plagosur u dërguan në spitalin shtetëror të Bodrumit.

Aq i fortë ishte vërshimi i ujit, sa arriti të shkulte dhe disa trotuare e pjesë asfalti.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha një banor i zonës i identifikuar si Ertan Bashar.

“Ujërat arritën në 2 apo 3 metra lartësi; makinën time e morën me vete dhe e tërhoqën për gati 300 metra.

Megjithatë, – shton burri me një ndjenjë lehtësie, – e rëndësishme është që nuk pati humbje jetësh”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/permbytje-te-renda-ne-turqi-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala