Përmbajtja e amendamentit gjerman në Kapitullin 35, që po e “çmend” Serbinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kapitulli 35 dhe amendamenti gjerman në tekst e kanë vënë në pikëpyetje rrugën e mëtejmë të Serbisë drejt BE-së, shkruan B92 e cila zbulon se çfarë përmban dokumenti që e ka “çuar peshë” Serbinë.

Në përgjithësi, sipas draftit Kapitulli 35 është vendosur si një pistë paralele e cila do të përcillte negociatat e tërësishme dhe i cili do ta diktonte tempin e përparimit.

Sipas propozimit, është paraparë që përparimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën drejtpërdrejt të kushtëzohet me ecjen përpara, duke përfshirë përparimin e përgjithshëm në bisedime – nëse procesi vonohet, hapja dhe mbyllja e kapitullit do të suspendohet, transmeton Indeksonline

Me amendamentin gjerman, të cilin e mbështesin edhe Britania e Madhe dhe Kroacia, kërkohet përfshirja e vetëm një fjalie në tekst sipas së cilës “krijohet nevoja që gjatë negociatave të përmbyllet procesi i normalizimit”.
Në kapitullin 35 do të duhej të shkruhej: “Vendimi për hapjen e kapitujve tjerë (pas 35, 32, 23, 24) do merret pasi që të konkludohet kontributi i Serbisë në implementimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit”.

Është kërkuar që kjo fjali të futet në tekst në pjesën ku flitet për nevojën që përparimi i Serbisë në negociatat me BE-në të jetë i baraspeshuar me procesin, siç thuhet në draftin e tekstit për kapitullin 35, “normalizimit të plotë të marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës, në pajtim me kornizën e bisedimeve”, transmeton Indeksonline.

“Në pajtim me kornizën e bisedimeve, Komisioni dhe përfaqësuesit e lartë me kujdes dhe në vazhdimësi do të mbikëqyrin përmbushjen e pjesës së parë të kushteve kalimtare (interim benchmarks) të palës serbe dhe do ta njoftojnë Këshillin për atë çështje së paku dy herë në vit”, shkruan në draft/kapitullin 35.

Gjithashtu, shtohet se, duke marrë parasysh zhvillimin e mëtejmë të dialogut, pjesa e parë e kushteve kalimtare do të azhurnohet sipas nevojës.

Teksti i propozuar për kapitullin 35 parasheh se, në rast të përparimit në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të ketë ngecje në raport me përparimin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësim, të bëhet edhe ndërprerja e tërësishme e procesit negociues.

“… (nëse vije deri të ngecja) për shkak të asaj që Serbia nuk kontribuon rreth implementimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Komisioni me iniciative të vet apo me kërkesë të 1/3 të vendeve anëtare do të propozojë rekomandime për hapjen apo mbylljen e kapitujve tjerë negociues dhe aktivitetet përgatitore të përshtaten me mënyrën e përgjegjshme, derisa mos të ketë baraspeshë”, shkruan në tekst.

Teksti të cilin kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka quajtur “të tmerrshëm”, dhe për shkak të të cilit presidenti Tomisllav Nikoliq ka thënë se “popullit duhet të deklarohet”, thuhet se “implementimi i marrëveshjeve që janë arritur në dialog në përgjithësi janë në nivel të kënaqshëm”.

Megjithatë, edhe pse në tekst përgjithësisht ka vlerësime të funksionalitetit dhe implementimit të marrëveshjeve “në mënyrë të kënaqshme” apo në “mënyrë relativisht të kënaqshme”, në Bruksel theksojnë se ka vonesa në implementimin e marrëveshjeve për energjetikën, telekomunikacionin dhe njohjen e diplomave.

Sa i përket energjetikës, thuhet se përveç themelimit të një kompanie të re dhe mbështetja e anëtarësimit të operatorit kosovar në organizatat ndërkombëtare, në draftin e kapitullit 35 thuhet se nga Serbia pritet që ta zgjidh çështjen e menaxhmentit në liqenin e Gazivodës, që është i emëruar nga Serbia.

Në pjesën për telekomunikacionin, thuhet se ka vonesa serioze për shkak të mospajtimeve “në shumë aktivitete”, si dhe në masat konkrete që duhet të ndërmerren në mënyrë që Kosovës t’i jepet prefiksi treshifror i thirrjeve ndërkombëtare.

Nga Serbia pritet që të kontribuoj në vazhdimin e procesit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe “në kuadër të afateve dhe në pajtim me ligjet e Kosovës” dhe marrëveshjeve të arritura në dialog, si dhe heqjen dorë të Serbisë nga financimi dhe mbështetje e strukturave (paralele) serbe.

“Serbia të inkurajoj autoritetet komunale në veri të Kosovës që plotësisht të respektojnë legjislacionin e Kosovës”, thuhet në tekst.

Gjithashtu nga Serbia kërkohet që t’i mbyll të gjitha rrugët alternative në kufirin me Kosovën, por edhe ta implementoj marrëveshjen për regjistrimet e veturave në veri të Kosovës.

Sa i përket lëvizjes së lirë dhe urës mbi lumin Ibër, pritet që të respektohet marrëveshja e gushtit dhe ura të hapet për komunikacion deri në fund të qershorit të vitit 2016.

Gjithashtu, Serbia duhet t’i mundësoj pjesëmarrje efikase Kosovës në iniciativat e mbetura rajonale, dhe të mbështes përfshirjen e përfaqësuesve të Kosovës në strukturat administrative të organizatave rajonale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/permbajtja-e-amendamentit-gjerman-ne-kapitullin-35-qe-po-e-cmend-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala