Përleshje në veri të Mitrovicës, dy të plagosur

Autori:Avdyl Pajaziti

Një përleshje mes disa personave, me ç’rast dy nga ta kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në lokalin ‘Crna Dama’ në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Mësohet se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe plumba të pashkrepur.

Sipas këtyre burimeve, personat e përfshirë në këtë përleshje, kanë sulmuar me armë po ashtu edhe një automjet të policisë, por për fat të mirë nuk ka policë të lënduar.

“Një festë e organizuar për pashkët ortodokse nga krerët e krimit në veri, ka rezultuar me përleshje dhe të shtëna armësh, fillimisht para lokalit Crna Dama dhe pastaj e manifestuar edhe nëpër rrugët e qytetit, me ç’rast dy persona janë plagosur. Është sulmuar po ashtu edhe automjeti i policisë, ndërsa me armë dyshohet të ketë shtënë Vuk Joviq, djali i njërit nga krerët e krimit në veri, Sllavoljub Joviq, i njohur me nofkën Pagi. Në mesin e pjesëmarrësve në këtë aheng kanë qenë edhe njerëz me ndikim nga nëntoka si Zvonko Veselinoviq, i shoqëruar nga Millan Radojqiq. Këta të fundit bile kanë organizuar që mysafirët e mbrëmshëm t’i argëtojë këngëtari i njohur beogradas, Aleksa Radenkoviq”, kanë thënë burimet.
Në anën tjetër, i kontaktuar nga KosovaPress, zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka pranuar se mbrëmë rreth orës 01:20 ka ndodhur një rrahje në veri të Mitrovicës, ku janë përdorur edhe armët e zjarrit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/perleshje-ne-veri-te-mitrovices-dy-te-plagosur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala