Përleshen azilantët se njëri grisi Kuranin

Autori:Zekirja Shabani

Pasi që një banor i qendrës ka grisur fletët e Kuranit, disa nga besimtarët myslimanë janë ndier të fyer dhe e kanë nisur konfliktin. 15 veta, në mesin e tyre edhe 4 policë kanë pësuar lëndime në trazirat që kanë ndodhur mbrëmë në qendrën për pranimin e azilkërkuesve në qytetin Suhl të landit Thüringen, Gjermani.

Janë parë skena dhune të përafërta me ato që shihen vetëm në vendet në gjendje lufte, përshkruajnë mediet gjermane situatën e mbrëmshme në Suhl. Madje nga sulmi nuk janë kursyer edhe gazetarët.

Konflikti është ndezur “mbi bazë fetare”. Në të vërtetë, pasi që një banor i qendrës ka grisur fletët e Kuranit, disa nga besimtarët myslimanë janë ndier të fyer dhe e kanë nisur konfliktin.

Personi që kishte grisur librin e shenjtë islam kishte kërkuar mbrojtje në kthinën e sigurimit të qendrës por turma ndërkohë ishte bërë aq e madhe dhe e dhunshme sa që punëtorët e sigurimit nuk mund ta përballonin.

Ata kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë alarmuar policinë, transmeton albinfo.ch. Të rebeluarit janë përleshur edhe me policinë dhe për pasojë janë lënduar 15 persona, në mesin e të cilëve edhe 4 policë.

Mediet shkruajnë se në përleshje janë përfshirë së paku 100 azilkërkues dhe 125 policë. Azilkërkuesit gjatë përleshjeve kanë dëmtuar një numër automjetesh dhe mobilesh. Qendra e pranimit të azilkërkuesve në Suhl është e vendosur në një bllok ndërtesash të oficerëve nga koha e Gjermanisë komuniste (DDR). Në këtë qendër ku strehohen rreth 1500 azilkërkues, ka pasur edhe më parë trazira të ngjashme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/perleshen-azilantet-se-njeri-grisi-kuranin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala