Përkeqësohet situata e biznesit në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Situata e bizneseve është përkeqësuar dukshëm në tremujorin e tretë të vitit 2015, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraprak. Pengesë kryesore vlerësohet të jetë mungesa e porosive.
Pritjet për të ardhmen janë përkeqësuar për të gjithë sektorët, veçmas për sektorin e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve. Këto vlerësime kanë dalë nga “Indikatori matës i tendencës në biznes: Tremujori i tretë i vitit 2015”, të bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Anketimi përfshin tregtinë me shumicë dhe pakicë, prodhimin, ndërtimtarinë dhe shërbimet.

Pritjet për 6 muajt e ardhshëm janë më pak optimiste, ku 35 për qind e kompanive presin gjendje më të mirë të biznesit, e që krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie prej 17 për qind, që ishte 52 për qind, raporton KosovaLive.

Po ashti sipas këtij indikatori, vlerësimet për punësim kanë shënuar rënie për 5 për qind, ndërsa pritjet vlerësohen më të përkeqësuar në krahasim me tremujorin e vitit paraprak. Rreth 64 për qind e bizneseve presin që punësimi të mbetet i njëjtë.

“Gjetjet kryesore për punësim tregojnë që 11 për qind e kompanive të anketuara janë optimiste për rritje të punësimit në tre muajt e ardhshëm, kurse 8 për qind presin që numri i të punësuarve të ulet në tre muajt e ardhshëm”, thuhet në këtë indikator.

Ndërsa, pritjet për gjashtë mujorin e ardhshëm mbesin të njëjta krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, ku 10 për qind e bizneseve të anketuara presin përkeqësim të situatës, ndërsa rreth 35 për qind janë optimiste për ditë më të mira të biznesit të tyre.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, theksoi se në vitin 2014 pengesat kryesore për të bërë biznes kanë qenë korrupsioni, burokracia dhe prokurimin publik, ndërsa në dy tremujorët e parë të këtij është energjia dhe furnizimi me energji elektrike, bazuar në një çmim të lartë i cili ndikon në dëmtimin e sektorit prodhues në Kosovë.

Ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2015 indikator tjetër me pasoja negative është mungesa e porosive që po dëmton kompanitë prodhuese dhe tregtare.
“Kjo vjen si rezultat i rënies së fuqisë blerëse, kryesisht për shkak të migrimit të të rinjve, ku sipas të dhënave në fillim të këtij viti Kosovën e kanë braktisur 120 mijë qytetarë. Po ashtu edhe punësimi i vogël që reflekton në rënien e fuqisë blerëse”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, Doganat e Kosovës raportojnë për një rritje të të hyrave për 13 për qind, mirëpo pranojnë se rritja më shumë është si dukuri e luftës së informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar, por me një tendencë rënëse e aspektit kuantitativ, që do të thotë se më tepër kemi importe në krahasim me vitin 2014, indikator i cili është shqetësues.

Rekomandimet që duhet të adresohen janë që të gjenden alternativa për mbështetje të kompanive prodhuese; të kalohet në top prioritet zhvillimi ekonomik; krijimi i vendeve të reja të punës dhe kamatat e larta bankare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/perkeqesohet-situata-e-biznesit-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala