Përgjegjësit kryesorë për masakrën e Srebrenices (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

​Gjithsej njëzet persona janë akuzuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për krimet e kryera në Srebrenicë në korrik 1995. Të gjithë janë arrestuar dhe janë transferuar në Hagë.

Katërmbëdhjetë dënime, prej të cilave pesë për krimin e gjenocidit, janë shpallur për këtë masakër ndërkohë që tre gjyqe kundër katër personave janë duke u zhvilluar aktualisht. Afro 8.000 burra dhe djem myslimanë janë masakruar nga forcat serbe të Bosnjës nga 11 deri më 15 korrik 1995.

Të dënuarit kryesorë

Gjenerali Zdravko Tolimir, i konsideruar si krahu i djathtë i udhëheqësit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm në prill 2015. Ish-udhëheqësi i inteligjencës dhe sigurisë është shpallur fajtor, ndër të tjera, edhe për gjenocid.

Radislav Krstiq, gjenerali që ka udhëhequr sulmin kundër Srebrenicës, ka qenë serbi i parë i Bosnjës që është shpallur fajtor për bashkëfajësi për gjenocidin. Dënimi i tij prej 35 vitesh burg është konfirmuar në apel në prill 2004.

Në janar 2015, ICTY konfirmon dënimet që shkojnë nga 13 vjet burgim në burgim të përjetshëm për gjashtë ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe të policisë. Në mesin e tyre janë Vujadin Popoviq, shef i sigurisë i korpusit të Drinas të Armatës së Serbëve të Bosnjës (VRS), dhe Lubisha Beara, shef i sigurisë i Shtabit kryesor të VRS-së, të dënuar për gjenocid. I akuzuari i shtatë, i dënuar me 5 vjet burgim në instancën e parë, ka vdekur gjatë procedurave të apelit.

Koloneli Vidoje Blagojeviq dhe i bashkakuzuari Dragan Jokiq, dy ish-oficerë të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, janë dënuar në apel më 2007 me 15 respektivisht 9 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Proceset që po vazhdojnë

Proceset ndaj ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq, janë duke vazhduar. Të dy akuzohen për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkohë që Ratko Mladiq është duke e paraqitur mbrojtjen që nga maji 2014, akuza ka sjellë kohëve të fundit elemente shtesë në dosje pas zbulimit të varrezave të reja të përbashkëta. Shpallja e aktgjykimit kundër tij pritet të bëhet në nëntor 2017. Radovan Karaxhiq, ndërkaq, i ka paraqitur argumentet e tij dhe aktgjykimi pritet në dhjetor 2015.

Aktgjykimi nga apeli pritet në dhjetor edhe kundër Jovica Stanishiqit dhe Franko Simatoviqit. Ish-shefi i inteligjencës serbe dhe ndihmësi i tij janë liruar në maj 2013.

Të liruarit nga akuzat

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave Momqillo Perishiq, i akuzuar se ka “ndihmuar dhe inkurajuar” serbët e Bosnjës që të vrasin dhe persekutojnë myslimanët, është liruar nga akuzat në Gjykatën e Apelit në shkurt 2013. Gjykatësit kishin vlerësuar se Perishiq, i dënuar me 27 vjet burg në instancën e parë, nuk ka dhënë ndonjë ndihmë në mënyrë specifike me qëllim të inkurajimit të kryerjes së krimeve.

I vdekur gjatë procesit

Ish-presidenti jugosllav, Slobodan Millosheviq, i cili ka vdekur në qeli më 11 mars 2006 teksa ndaj tij po zhvillohej gjyqi, po ashtu është gjykuar për gjenocidin në Srebrenicë./Zëri

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pergjegjesit-kryesore-per-masakren-e-srebrenices-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala