Përgatitet Forumi shëndetësor kroato-kosovar

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, me të cilin ka biseduar për forcimin e bashkëpunimit në shëndetësi midis Kosovës dhe Kroacisë, fushat e bashkëpunimit të ardhshëm dhe përgatitjen e një Memorandumi, i cili do t’i hap rrugë një bashkëpunimi më intensive midis dy shteteve në shëndetësi.

Rëndësi e veçantë në këtë takim i është kushtuar edhe përgatitjes së vizitës së ministrit të Shëndetësisë të Kroacisë, Sinisha Varga, i cili me një ekip të ekspertëve eminent të fushave të shëndetësisë nga spitale të ndryshme të Kroacisë, do të qëndrojë për vizitë në muajin tetor në Kosovë, me ç’rast do të mbahet edhe Forumi Shëndetësor midis ekspertëve të fushave mjekësore nga Kosova e Kroacia.

Ministri Rrahmani ka mirëpritur interesimin e Kroacisë për të forcuar bashkëpunimin në shëndetësi dhe në takim është biseduar për mundësitë e shkollimit specialistik të kuadrit kosovar në Kroaci, bashkëpunimin në fushën e shërbimeve shëndetësore, partneritetit publiko privat dhe tema të tjera me interes, të cilat do të jenë pjesë e punimeve të Forumit që do të mbahet në tetor në Prishtinë, thuhet në njoftimin e MSH-së pas takimit Rrahmani-Vodopija.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pergatitet-forumi-shendetesor-kroato-kosovar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala