Përfshirja e gruas në biznes, element kyç për zhvillim ekonomik

Autori:Gazeta Fjala

Drejtori i Misionit të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID) në Kosovë, James Hope, në tryezën me temë ‘Fuqizimi i gruas në biznes’, e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në biznes, si njëri ndër elementet kyçe për zhvillim të suksesshëm ekonomik.

Për të sqaruar këtë, ai përmendi statistikat më të fundit të SHBA-vë sipas të cilave gratë ndërmarrëse kanë arritur të krijojnë 23 milionë vende pune, që ka rezultuar në rreth 3 trilionë të hyra si përfitim për ekonominë.

Hope tregoj edhe për angazhimin e USAID dhe të SHBA-vë në përgjithësi, të cilat përmes programeve të ndryshme synojnë investimin në vizione dhe ide që sjellin inovacion, rritje ekonomike dhe zhvillim të teknologjisë.

Anita Ahmeti,  përfaqësuese e Odes Amerikane,  tha se pavarësisht numrit të vogël të përfshirjes së grave në biznese dhe pozita menaxheriale, aty ku janë, gratë luajnë rol të jashtëzakonshëm dhe ofrojnë shërbime dhe produkte shumë cilësore.

Në anën tjetër Arjeta Spahiu nga kompania Advoco Solutions foli rreth sfidave më të cilat përballen gratë ndërmarrëse në perspektivë globale dhe lokale, duke ndarë me pjesëmarrësit edhe sfidat e saj personale dhe rrugëtimin drejt të qenit një ndërmarrëse e suksesshme, thuhet në komunikatën për media dërguar nga Oda Amerikane.

Ndërsa Enkelejda Shatri nga Akademia Evolucion foli për fuqizimin e grave në biznes përmes edukimit, duke theksuar se në këtë mënyrë ato bëhen të afta që një sfidë dhe rastësi të pakëndshme t’a kthejnë në një sukses të tyre të pamohueshëm.

Rreth mundësisë se financimit për bizneset e grave foli Sihana Nebiu nga Banka TEB,  e cila shpalosi detajet e marrëveshjes ndërmjet Bankës TEB dhe USAID për përkrahjen e grave ndërmarrëse dhe bizneset e tyre fillestare, që përveç mbështetjes financiare përfshin edhe ofrimin e shërbimeve të tjera si trajnime, konsulencë për marketing, financa dhe shitje.

Si përfundim u tha që nevojitet përfshirje më e madhe e tyre në sektorin privat duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që gratë mund të luajnë në zhvillimin më të hovshëm ekonomik të Kosovës./Gazeta Fjala

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/perfshirja-e-gruas-ne-biznes-element-kyc-per-zhvillim-ekonomik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala