Përfituesit e borxheve publike dihen të premten

Autori:Avdyl Pajaziti

E premtja është dita e fundit kur institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike duhet të finalizojnë listat e qytetarëve që do të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve. E procedurat për shlyerjen e borxhit, do të nisin nga java e ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.

Afatet janë vënë nga Qeveria nëpërmjet një udhëzimi administrativ, e i cili nuk është publikuar. Gazeta e ka siguruar një përmbajtje të tij. Nëpërmjet këtij dokumenti përcaktohen procedurat dhe afatet për faljen e borxheve publike që personat fizikë dhe juridikë kanë ndaj institucioneve dhe agjencive të pavarura për periudhën deri në fund të 2008-s, por edhe disa lehtësira për borxhet publike deri në fund të 2014-s.

“Institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike … deri më 2 tetor 2015 i identifikojnë dhe përgatisin listat e të gjithë personave fizikë dhe juridikë që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas nenit 4 të Ligjit, si vijon: Listën e personave fizikë dhe juridikë që kanë borxhe dhe shumën e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, dhe; listën e personave fizikë dhe juridikë që kanë borxhe për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014”, thuhet në udhëzim administrativ.

“Lista duhet të përmbajë shumën e borxhit bazë, ndëshkimet, gjobat, interesin dhe obligimet tjera që rrjedhin nga mospagesa me kohë e kryegjësë së borxhit për secilin person në baza vjetore dhe duhet të renditen në mënyrë alfabetike, veçmas për personat fizikë dhe personat juridikë”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/perfituesit-e-borxheve-publike-dihen-te-premten/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala