Për vrasjen e vëllezërve Bytyqi do të arrestohen 40 serbë

Autori:Avdyl Pajaziti

Lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikan, ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën ngjarje SHBA-të insistojnë ta zgjidhin qe 16 vjet, së shpejti mund të arrestohen 40 serbë të cilët janë të përfshirë në këtë rast.

Hetimi i vrasjes së shtetasve amerikanë Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi, të cilët ishin vrarë në bazën policore në fshatin Petrovë ka ardhur në përfundim dhe së shpejti mund të ndodhë arrestimi i 40 personave.

Ashtu siç shkruan “Informer” në listën e të dyshuarve janë gjeneralët policorë, ish-funksionarë të qeverisë së Serbisë, gjykatës por edhe policë dhe rojtarë të gjykatave, transmeton lajmi.net.

Për zgjidhjen e rastit të vëllezërve Bytyqi për 16 vite insiston Uashingtoni, dhe ky rast është pengesa kryesore e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Serbisë, shkruan kjo gazetë serbe, sipas të cilët këta ish pjesëtarë të UÇK-së, të ardhur nga SHBA-të për të luftuar kundër Serbisë, menjëherë pas përfundimit të luftës, ishin futur në territorin e Serbisë për ta shpëtuar një serb, i cili i kishte lutur ata që ta tërhiqnin nga Kosova, që ai të kalonte në territorin e Serbisë.
Por në këtë rast kishte vepruar policia serbe, duke burgosur vëllëzërit Bytyqi, të cilët po shpëtonin një civil. Ata i kishin burgosur me arsyetimin se nuk kishin viza dhe më pas i kishin vrarë.

Të gjithë ishin shtetas amerikan, dhe për këtë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili këto ditë po qëndron në SHBA, ka thënë se ky problem i Serbisë me SHBA-të duhet zgjidhur.

Urdhërin për vrasjen e vëllezërve Bytyqi e ka dhënë ish-ministri i punëve të brendshme tashmë i ndjerë Vlajko Stojiljkoviq ka thënë prokurori për krimet e luftës Vladimir Vukçeviq.

Ndërsa shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq thotë se presioni ekziston qe 16 vite, por nuk mund të ketë arrestime pa prova dhe dëshmi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/per-vrasjen-e-vellezerve-bytyqi-do-te-arrestohen-40-serbe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala