Për një ditë mbi 5 mijë veta aplikojnë në UP

Autori:Avdyl Pajaziti

Maturantët e Kosovës duket se për të studiuar më tepër e preferojnë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Vetëm në ditën e parë që është hapur ky konkurs kanë aplikuar mbi 5 mijë maturantë.

Sipas statistikave të Zyrës së Teknologjisë së Informacionit në UP, në ditën e parë të konkursit kanë aplikuar 5 113 maturantë, nga të cilët 2 194 janë verifikuar, transmeton er.

Interesim më i madh është vërejtur në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Edukimit. Në Fakultetin e Mjekësisë vetëm në ditën e parë kanë aplikuar 809 kandidatë, kurse në Fakultetin e Edukimit 738 kandidatë. Interesim i madh është vërejtur edhe në Fakultetin e Filologjisë, në të cilin në ditën e parë kanë aplikuar 555 kandidatë, kurse në Filozofik 502 kandidatë.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve themelore këtë vit do t’i regjistrojë rreth 7 800 studentë, prej të cilëve 7 330 të rregullt, kurse 550 studentë me korrespondencë. Ndërkaq, shtatë fakultetet që më parë kanë pranuar studentë pa provim pranues, sivjet do të organizojnë provim. Universiteti i Prishtinës ka ulur ndjeshëm numrin e studentëve të cilët do të pranohen në vitin e ri akademik 2015/2016. Konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës do të jetë i hapur deri më 16 korrik, ndërsa provimet pranuese do të mbahen më 20 dhe 21 korrik, kurse rezultatet publikohen më 23 të po këtij muaji.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/per-nje-dite-mbi-5-mije-veta-aplikojne-ne-up/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala