Për Francën, Kosova është një vend i sigurt

Kosova sërish është kthyer në listën e “vendeve të sigurta” sot gjatë një takimi të udhëheqjes së OFPRA-së (Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Apatridëve), një vendim që mund ta bëjë më të vështirë marrjen e azilit nga shtetasit kosovarë, raporton “zeri.info”.
Viteve të fundit, Kosova disa herë është futur e nxjerrë nga lista e vendeve të sigurta, sipas vendimeve të këshillit menaxhues të OFPRA-së, pastaj të anuluara nga drejtësia (më 2012 dhe 2014. Secilën herë, këto vendime kanë pasur ndikim të madh në vëllimin e dosjeve të paraqitura në Francë.
Kështu, kërkesat për azil nga kosovarët janë dyfishuar më 2015, thotë një njohës i kësaj dosjeje.
Lista është kritikuar ashpër nga shoqatat që mbrojnë të huajt, të cilat e akuzojnë se është hartuar për të ndalur fluksin e emigrantëve.
Sipas një directive evropiane, e cila është ndërfutur në ligjin francez këtë verë, një vend konsiderohet “i sigurt” kur “aty asnjëherë nuk është përdorur persekutimi, as tortura as trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese dhe nuk ka kërcënim për shkak të ndonjë dhune të verbër në situata të konfliktit të armatosur ndërkombëtar ose të brendshëm”.
Shtetasit e tyre munden, megjithatë, të kërkojnë azil (dhe ta fitojnë), por dosjet e tyre trajtohen në mënyrë të përshpejtuar. Dhe, në fakt, pak prej tyre fitojnë statutin e refugjatit (7,8% vitin e kaluar). /Zëri/