Për 10 muaj, vetëm 41 leje ndërtimi në Prishtinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Komuna e Prishtinës për dhjetë muaj të këtij viti ka lëshuar vetëm 41 lejë për ndërtime të larta, kurse në total janë 142 leje ndërtimore të lëshuara deri në fund të muajit tetor. Me leje ndërtimore prinë lagja “Mati 1” në Prishtinë.
E nga të gjitha këto leje ndërtimore, Komuna e Prishtinës do të përfitojë rreth 9.8 milionë euro kurse vetëm nga lejet për ndërtime banesore rreth 7 milionë euro.

“Gjatë vitit 2015, Komuna e Prishtinës-Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mjedisit ka lëshuar 142 leje ndërtimore, 41 prej tyre janë leje për ndërtime të larta banesore. Gjithmonë duke folur për periudhën që nga vitin 2015, ‘Mati 1’ është lagja në të cilën janë lëshuar më së shumti leje ndërtimore”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

Sipas saj, lëshimi i lejeve ndërtimore sjell edhe miliona të hyra për buxhetin e komunës. “Shuma e përgjithshme që përfiton Komuna sa i përket lejeve ndërtimore është 9.724.375.48 euro, ndërsa për 41 leje të lëshuara për ndërtime të larta banesore, komuna duhet të përfitojë 6.936.672,33 euro”, ka treguar zëdhënësja Mullafazliu.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Brahim Selimaj, gjatë një bisede për Telegrafin, ka akuzuar Komunën e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti se ka lëshuar pak leje për ndërtimet e larta gjatë këtij viti.

Sipas tij, Komuna është dashur të lëshojë më shumë leje ndërtimore. “Lejet e lëshuara gjatë këtij viti, janë pak në krahasim nga çka ishin dashtë me qenë. Këto leje të cilat janë lëshuar u deshtë të lëshohen vitin e kaluar”, tha Selimaj.
Sipas tij, mos lëshimi i lejeve ndërtimore ka shkuar në dëm të buxhetit, në dëm të të punësuarve dhe të ekonomisë në përgjithësi.

Për kapacitetet e ndërtuesve dhe të Prishtinës për ndërtim, 41 lejet e lëshuar për ndërtime të larta sipas tij janë tepër pak. “Ndërtuesit kanë kapacitete më të mëdha për të ndërtuar më shumë sesa ka lëshuar leje komuna. Ndërtuesit nuk kërkojnë që të lejohen ndërtime pa leje, por kërkojmë që të respektohet ligji nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës. Aty ku ka kushte urbane të lëshohen leje dhe të vazhdohet me ndërtime të larta”, thotë Selimaj.
Ai ka akuzuar udhëheqjen aktuale të Komunës së Prishtinës se kanë shkelur rregullore dhe nuk i kanë përmbushur premtimet që u janë dhënë ndërtuesve.Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/per-10-muaj-vetem-41-leje-ndertimi-ne-prishtine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala