Pensionisti, në krye të KOSTT-it

Naim Bejtullahut i është vazhduar mandati si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), pavarësisht se do të duhej të dilte në pension, pasi që ka disa muaj që ka mbushur 65 vjeç.
Një vendim të tillë për Bejtullahun e ka marrë më 1 tetor Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it.
Zana Bajrami-Rama, menaxhere e Zyrës për Komunikim dhe Relacione me Publikun në KOSTT, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se Bejtullahu tashmë ka mbushur 65 vjeç dhe në fakt do të duhej të dilte në pension.“Po, Bejtullahu ka mbushur 65 vjeç”, ka thënë ajo.
Megjithatë, zyrtarët e KOSTT-it e kanë arsyetuar këtë veprim, duke u thirrur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Bejtullahu është emëruar nga Bordi i Drejtorëve si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it deri në zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të ri, për të cilin gjatë javës së ardhshme do të shpallet konkursi publik.