Pensionistët udhëtojnë pa pagesë deri në fund të vitit

Për disa ditë me radhë pensionistët e Prishtinës, që udhëtojnë me Trafikun Urban u shqetësuan nga konduktorët e autobusëve.
Ata u thanë se mujoret që ua dha kryetari, Shpend Ahmeti u vlejnë deri më 30 prill dhe, se nga 1 maji duhet të paguajnë vetë.
Urdhri u tha se erdhi nga vetë menaxhmenti i ndërmarrjes.
Të moshuarit thonë se komuna në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalë iniciativën, por duhet të e vazhdojë atë.
Nënkryetari i komunës, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se deri në fund të vitit biletat janë të paguara dhe se me riorganizim të “Trafikut Urban” do të ndryshojnë edhe biletat mujore, por gjithmonë duke u përmirësuar.
Ndërsa, nëpër autobusë të moshuarit dëgjojnë që biletat mujore do limitohen për vetëm dy udhëtime gjatë ditës, pra vajtje e ardhje, e jo për udhëtime pa limit siç ishte deri tani.
Ndërkohë drejtori i “Trafikut Urban” Halil Mustafa ka thënë në emisionin 038 se pensionistët do të vazhdojnë të barten pa pagesë deri në fund të vitit 2015.
Kërkoj falje pensionistëve dhe qytetarëve. Në asnjë mënyrë nuk e kemi kontestu bartjen e pensionistëve. Kemi biseduar me komunën që pa pagesë të jetë vetëm një vajtje ardhje, por këtë nuk e ka pranuar Komuna dhe do të vazhdojë kjo deri në fund të vitit”, ka thënë Mustafa.
“Ne kemi planifikuar diku 600 deri në 1000 pensionistë, por deri më tani kemi lëshuar 4100 bileta mujore për pensionistët. Ne do të mundohemi që me shumë vështirësi t’i bartim edhe më tutje. Na mungon infrastruktura, na mungojnë autobusët, por ne do të vazhdojmë t’i bartim ata”, ka thënë ai.