Peja pa vrasje në gjashtëmujorin e parë

Autori:Avdyl Pajaziti

Komunës së Pejës po i rikthehet qetësia, raporton Koha Ditore. Në gjashtë mujorin e parë në ketë komunë nuk ka ndodhur asnjë vrasje.

Nuk mbahet mend pas luftës që në ketë rajon të mos ketë ndodhur ndonjë vrasje plotë gjashtë muaj. Peja, ishte shndërruar në një vend të kronikave të zeza.

Rrallë apo fare nuk ka ndodhur në 17 vitet e pas luftës që në ketë komunë të mos shënohet asnjë vrasje plotë 6 muaj.

Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Komunës së Pejës, komandanti i Stacionit Policor të Pejës, kapiteni Nue Nikolla, e ka konsideruar të qetë dhe dukshëm më të qëndrueshme gjendjen e sigurisë gjashtë muajt e parë të vitit 2015, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ai ka treguar se në gjysmë vjetorin e parë të vitit 2015 Janar- qershor nuk është raportuar asnjë vrasje, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur katër raste të vrasjes.

Për me tepër, sivjet ka pasur tetë raste të vrasjeve në tentativë, derisa gjysmë vjetorin e parë të vitit të kaluar kanë qenë vetëm tri raste të ngjashme.

Sfidë për policinë vazhdon të mbetet vjedhjet, dëmtimet e pronave dhe grabitjet.

Sivjet ka pasur 745 raste kundër pasurisë, kurse vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kanë qenë 852 raste.

Varësisht nga lloji, disa vepra penale kanë shënuar rënie e disa rritje, por në përgjithësi indeksi tregon përmirësim të gjendjes së sigurisë në Pejë. Sivjet, nga fillimi i janarit e deri në fund të qershorit janë iniciuar 1085 vepra penale, kurse vitin e kaluar të njëjtën periudhë kanë qenë të iniciuara 1229 vepra penale.

Teki Syla, që është duke e kryer punën e zëdhënësit rajonal të Policisë në Pejë, thotë se ne si drejtori rajonale që në fillim të vitit i kemi parashtruar vetës disa objektiva dhe që të gjitha këto janë parashikuar që të realizohen gjatë tërë vitit, por në periudha të ndryshme (në tre muaj) varësisht nga koha e realizimit dhe mundësia që paraqitet gjatë realizimit të çdo objektivi.

Kështu, që tashmë kaluam muajin e gjashtë të vitit 2015 dhe që nga fillimi i këtij viti e deri tani nuk kemi raste që kanë mundur të ndikojnë në sigurinë e përgjithshme në rajonin e Pejës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/peja-pa-vrasje-ne-gjashtemujorin-e-pare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala