PDK-LDK nuk heqin dorë nga AKP-ja

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të martën i ka dhënë dritën jeshile politizimit të Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Anëtarët e komisionit, pasi shqyrtuan listën e kandidateve të propozuar nga Qeveria për anëtarë të Bordit të AKP-së, vendosën që Kuvendit t’i kërkojë të emrohen, Petrit Gashi, kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skënder Komoni, Ismail Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiq dhe Bajram Zejnullahu, anëtar.
Hasime Mazreku në legjislaturën e katërt të Kuvendit ka qenë deputete nga radhët e PDK-së. Edhe Bajram Zejnullahu në zgjedhjet e vitit të kaluar ka garuar si kandidat i PDK-së për deputet në Parlament, mirëpo nuk ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme.
Ndërkaq, Skender Komoni edhe më herët ka qenë anëtar i Bordit të AKP-së, gjatë koalicionit PDK-AKR, përderisa emri i tij së fundi është gjendur në dosjet e Prokurorisë së Pejës në dyshimet për diplomë false në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.
Nga ana tjetër Ismajl Januzi nga fillimi iv itit 2014 e deri në gusht të këtij vitit ka qenë drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjilanit. Sic pati raportuar Gazeta Zëri, më herët ka qenë edhe anëtar i Bordit të KEK, dhe derisa ishte drejtor në këto dy institucione, Januzi ka qenë në konflikt të interesit, pasi që ishte person i autorizuar në një kompani private, e cila, sipas tij, është shuar moti.
I propozuari tjetër për Bord, Hamdi Jaha, aktualisht është drejtor i Inspektoratit në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga kryetari i LDK-së, Agim Veliu./Gazeta Fjala/