PDK: LDK me AAK-në po pasurohen nga ndërtimet pa leje

Autori:Avdyl Pajaziti

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka akuzuar partnerët qeverisës të komunës se po përfitojnë financiarisht përmes ndërtimeve pa leje që po kryhen në qytetin e tyre.

PDK, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se Gjilani është bërë qendër e biznesit të zi, qendër ku po pasurohen zyrtarët e lartë komunalë nga ndërtimet pa leje dhe kontratat e kundërligjshme përmes tenderëve të dyshuar me disa nga kompanitë private.

Sipas këtij subjekti politik, zyrtarët e lartë komunalë të qeverisje së Lutfi Hazirit, janë duke keqpërdorur pozitat dhe aktivitetin e tyre politik dhe nuk janë duke zgjedhë rrugë e mjete për të pasuruar dhe shtuar euro milionat në bizneset të cilat i kanë në pronësi të tyre private.

“Koalicioni LDK-AAK po e shëmton plotësisht qytetin e Gjilanit duke lejuar ndërtimet e egra në njërën anë dhe duke e shkatërruar infrastrukturën (rrugët, trotuaret, drunjët dekorativ, rrjetin e ujësjellësit etj.) në anën tjetër, nga mekanizmi i kompanive ndërtuese që janë në pronësi të zyrtarëve më të lartë komunal dhe të cilët po e rrënojnë qytetin tonë vetëm e vetëm që ata të pasurohen sa më shumë dhe sa më shpejtë”, thuhet në këtë reagim.

PDK shton se qytetarët e Gjilanit po detyrohen nga rrjeti i “Bosëve” që të furnizohen me material ndërtimi apo me beton nga kompanitë private, të cilat janë në pronësi të zyrtarëve të lartë komunal nga koalicioni LDK-AAK (duke filluar nga nënkryetari i komunës, asambleistët e Kuvendit Komunal dhe nga zyrtarë të tjerë që i përkasin këtyre dy partive politike), në mënyrë që ata të ndërtojnë pa probleme dhe pa leje ndërtimore.

“Në të kundërtën, ata qytetarë të cilët ndërtojnë dhe që nuk hyjnë në biznes dhe marrëveshje me këto kompani, ku aksionarë apo pronar janë këta zyrtarë, kanë kushtëzime dhe pengesa prej më të ndryshmeve, derisa të gjunjëzohen para këtyre “bosëve” politik”, thekson PDK në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës, që në Gjilan është opozitë, thotë se ka dy vite që urbanizmi dhe inspeksioni i ndërtimit në Gjilan funksionojnë vetëm si një agjension ndërmjetësimi i cili luan rolin e agjentit tregtarë, në mes investitorëve dhe disa kompanive.

“Në rastet kur nuk ka arrihet marrëveshja në mes tyre, atëherë inspeksioni komunal i ndërtimit vepron duke e penguar pronarin/investitorin që ndërton, deri sa ai të dorëzohet dhe pranon që të ulet dhe të bëjë pazar në interes të klasës politike dhe në dëm të vet atyre, por që janë të detyruar”, thuhet më tej në reagimin e kësaj partie.

“Ne si opozitë disa herë dhe në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje problematike të ndërtimeve pa leje, derisa edhe vet kryetari i komunës Lutfi Haziri e ka pranuar publikisht se ndërtimet pa leje janë një problem serioz, por që deri më tani ai asnjëherë nuk ka vepruar për ta parandaluar këtë dukurie shkatërruese dhe korruptuese, pos që e ka shuar/mbyllur plotësisht drejtorinë e Inspeksionit, që i bie se ka vepruar për t’i dhënë liri dhe mundësi të pafundme zyrtarëve të tij të lartë komunal, që të përfitojnë miliona euro nga ky biznes i zi i ndërtimeve të egra në qytetin e Gjilanit”, vlerëson PDK e Gjialnit.

PDK thotë se Haziri po qëndron i heshtur edhe në ato pak raste kur inspeksioni vepron me vendosjen e shiritave për ndaljen e ndërtimeve pa leje apo edhe kur ka tejkalime të mëdha nga projektet në të cilat është bazuar dhe lëshuar leja ndërtimore nga urbanizmi, “ndërsa investitorët e LDK-AAK “bosët” shkojnë dhe i përzënë inspektorët komunal të ndërtimit nga vend punishtet”.

“Pra do të thotë se kjo katrahurë që ka nisur me ndërtimet pa leje dhe po vazhdon tutje, është bërë krejt me lejen dhe miratimin e heshtur nga ana e kryetarit të Gjilanit”, përfundon reagimi i PDK-së, dega në Gjilan.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pdk-ldk-me-aak-ne-po-pasurohen-nga-ndertimet-pa-leje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala