PDK-ja në Ferizaj e cilëson kryetarin Svarça monark, MAPL-në anarkiste

Autori:Gazeta Fjala

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Ferizaj, të hënën e ka cilësuar kryetarin e kësaj komune, Muharem Svarqa, monark, ndërsa Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal anarkiste rreth përgjigjes së fundit që ka dhënë lidhur me pretendimet për shkelje ligjore në këtë komunë.

Nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare MAPL-ja, ndërkaq ka konstatuar se pretendimet e grupit të anëtarëve të PDK-së në Ferizaj për suspendimin e kryetarit Svarça, nuk janë të bazuara dhe si të tilla nuk paraqesin bazë të mjaftueshme për inicimin e procedurës për suspendim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, nënkryetari i PDK-së në Ferizaj, Lulzim Aliu, ka thënë se ka qenë Qeveria e vendit që nëpërmjet MAPL-së ka dhënë vulën përfundimtare me këtë rast rreth vazhdimit të shkeljeve ligjore të Svarçës.

”MAPL-ja ka dhënë vulë që Svarça të punojë ashtu siç ka punuar me shkelje ligji. Përmes asaj vule të Qeverisë i është thënë Svarçës shpenzoje buxhetin siç do ti, mos iu përgjigj Kuvendit, thjesht i ka thënë vazhdo të kesh sjellje monarku. Një kryetar komune që nuk respekton asnjë ligj dhe ndërron vendime të KK-së, nuk ka shprehje tjetër për të pos monark. Ndërsa, MAPL-ja është anarkiste në atë kuptim që kanë lejuar monarkinë në një qytet”, ka thënë Aliu.

Ky ka vazhduar akuzat edhe deri në masën sa ka shprehur siguri se kryetari aktual, Svarça, ka bërë një bashkim veprash penale duke shkelur ligjet e prokurimit, Ligjin e këmbimit të pronës, statutin e Komunës etj.

“Ndërsa, shkelja e fundit që është e patolerueshme është shkelja e Ligjit të financave publike dhe përgjegjësitë, kur kryetari i Komunës nuk e ka dorëzuar me kohë buxhetin për 2016. MAPL-ja, pikërisht këtë çështje e trajton dhe për ne më e rënda është që MAPL-ja jep përgjigje të falsifikuar, duke falsifikuar datën për dorëzimin e buxhetit. Mbledhja e Kuvendit është mbajtur më 29 shtator, ndërsa në përgjigje thuhet se në bazë të monitorimit të asaj mbledhjeje të 4 shtatorit është miratuar buxheti i 2016-s. Kjo është shqetësuese dhe ndikim i drejtpërdrejtë i kryeministrit nëpërmjet zv.ministrit Bajram Gecaj, duke e shpëtuar kryetarin e Ferizajt nga procedurat e suspendimit”, ka thënë Aliu.

Por, autoritetet komunale në Ferizaj nuk e kanë shumë dertin e pohimeve të PDK-së, ndërsa marrin për bazë përgjigjen e MAPL-së. Zëdhënësi, Naim Ferati, ka thënë se kryetari Svarça në asnjë rast deri tashti nuk ka pasur sjellje monarku, siç pretendon subjekti rival.

“Kryetari po ushtron kompetencat e tij në bazë të Ligjit të vetëqeverisjes lokale dhe ai po vepron në kuadër të tij, ndërsa nuk ka asnjë sjellje monarku, sepse nuk asnjë arsye për këtë, duke pasur parasysh ushtrimin e kompetencave si kryetar i zgjedhur me vota të qytetarëve. Qeverisja Svarça ka krijuar standard në qeverisje dhe duhet të falënderohet për shërbime”, ka thënë Ferati.

Zëdhënësi i Ferizajt, e ka quajtur normale dhe të shëndoshë në demokraci rivalitetin pozitë- opozitë. Por, Ferati këmbëngul se çështja, e cila është ngritur nga opozita me kërkesë drejt MAPL-së dhe pretendimet për disa shkelje, është konkretizuar me përgjigjen e vetë ministrisë, duke përjashtuar shkeljet ligjore.

“Ne po vazhdojmë punën normale, ndërsa opozita po vazhdon me politikat e saj ripërtypëse me tema që po ngrihen vazhdimisht e që nuk janë korrekte për arsye se MAPL-ja është kompetente për mbikëqyrjen e punëve dhe monitorimin e Kuvendit e të qeverisjes lokale”, ka thënë Ferati.

Por, është shoqëria civile në Ferizaj, që po sheh tensione të mëdha politike.

Drejtuesi i Forumit politik të të rinjve “FOPOR”, Albion Sherifi, ka vlerësuar kjo përplasje dhe ky tensionim është i kamotshëm dhe ka një periudhë kohore të gjatë që vazhdon si i tillë.

Pos përplasjeve pozitë-opozitë, Sherifi, pretendon se në Ferizaj ka edhe mungesë komunikimi të mirëfilltë midis vetë partnerëve në koalicion. Ai, ka insistuar se në qoftë se rrethanat nuk ndryshohen shpejt kjo komunë do të rrëshqasë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Mungesa e komunikimit të mirëfilltë mes partnerëve në koalicion dhe mungesa e vullnetit politik për të realizuar premtimet zgjedhore dhe tensionet e vazhdueshme pozitë-opozitë janë parakusht për zgjedhje të parakohshme, më saktë ndoshta edhe të një riformatimi të qeverisjes lokale. Madje, riformatimi ishte paralajmëruar disa herë dhe nuk ka ndodhur dhe dyshoj se do të ndodhë, sepse ky koalicion ose do të vazhdojë kështu siç është, ose do të tërhiqet plotësisht nga Komuna duke shkuar në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Sherifi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pdk-ja-ne-ferizaj-e-cileson-kryetarin-svarca-monark-mapl-ne-anarkiste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala