PDK i ka numrat, Specialja votohet javën e ardhshme (?)

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata Speciale mund të përmbyllet ditën e enjte. Të paktën bazuar në atë që lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u ka thënë diplomatëve të ndryshëm ndërkombëtar. Kështu kanë thënë burime të afërta me procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Sipas këtyre burimeve, i pari i PDK-së, Hashim Thaçi u ka dhënë sinjal ndërkombëtarëve se ka arritur që t’i bëjë votat për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pritet që gjatë javës së ardhshme, më së largu të enjten ose të premten do të dalë edhe një herë për votim amendamenti kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë ky burim për Gazetën Blic.

Ndërkohë, në takimin e para pak ditëve që Hashim Thaçi e kishte me deputetët e partisë së drejtuar nga ai, u kishte kërkuar që ta mbështesnin themelimin e Gjykatës, në të kundërtën ai kishte paralajmëruar largimin nga kreu i partisë.

Ndërkaq, para medieve ai kishte deklaruar se vetëm atëherë kur do t’i kenë numrat, do ta riprocedojnë amendamentin kushtetues.

Në anën tjetër, Adem Grabovci ka deklaruar se janë në pritje të Qeverisë që të riprocedoj në Kuvend këtë amendament kushtetues, i cili lejon themelimin e Speciales.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës askush nuk ka përgjigje se çka do të ndodh.

Zëdhënësi i ekzekutivit, Arban Abrashi nuk ka dhënë përgjigje se kur do të ndodh riprocedimi në Kuvend i këtij amendamenti.

Para një muaji, ishin 13 deputetë të PDK-së ata që i thanë JO themelimit të kësaj gjykate.

Pas dështimit të koalicionit për fajin e PDK-së, ndërkombëtarët ishin rebeluar keq në Hashim Thaçin. Madje, siç edhe kishte raportuar Gazeta Blic, ata kishin paralajmëruar hakmarrje ndaj deri dje partnerit më të besueshëm në Kosovë./Gazeta Blic/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pdk-i-ka-numrat-specialja-votohet-javen-e-ardhshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala