PDK: Haziri më i keq se Haradinaj – dje i quante Thaçin e Veselin kriminelë, sot po i ledhaton

Autori:Gazeta Fjala

Dega e PDK-së në Gjilan, përmes një komunikate dërguar mediave, po thotë se kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nuk është aspak më i mirë për sa i përket gjuhës denigruese në krahasim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

PDK, që në këtë komunë është forcë opozitare, thotë se sikur Lutfi Haziri të ishte aq burrë dhe të kishte aq shumë moral politik, do të ishte për lakmi se si ai po e këshillon Ramush Haradinajn dhe të tjerët, që të ruajnë institucionet e Kosovës dhe të ndalin gjuhën e sjelljen denigruese ndaj njëri tjetrit.

Për këtë subjekt politik, Lutfi Haziri vetëm kur e ka punën ngushtë tregohet “i kulturuar dhe i matur”, përndryshe gjuha e tij e përdorur ndaj rivalëve politikë, çdoherë ka qenë fyese, kërcënuese dhe ofenduese.

“Jo më larg se vitin e kaluar, Lutfi Haziri e kishte quajtur Albin Kurtin “Hajn të Pulava” duke e krahasuar me Ahmet Zogun si dhe duke e prekur në moral. Ndërsa kryetari i tij i LDK-së e kishte quajtur atë edhe “gomar”. Po vet Luta dhe bashkëpartiakët e tij para koalicionit PDK-LDK, i etiketonte, akuzonte dhe i quante edhe kriminel udhëheqësit më të lartë të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, ndërsa sot i ledhaton ata”, thuhet në këtë reagim.

“Para pak viteve kur Hashim Thaçi e vizitonte Gjilanin, ishte po ky Lutë që ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës e quante “jabanxhi” në vendin e vet, atë dhe ekipin e tij i quante “njerëz me maska” dhe “Hiena”, kur mundohej dhe mendonte se po kërcënonte ish qeverisjen lokale me dhunën e “Ushtarëve të Rugovës” të cilët pasi erdhi në pushtet nuk po i përmend më asnjëherë këta “ushtarë”, i harroi krejt pasi i mashtroi keq ata”, theksohet më tej.

“Jo vetëm gjuhën e fyerjeve, sharjeve e kërcënimeve e përdorë Lutfi Haziri, por tipare të veçanta të karakterit të tij politik janë mashtrimi, shpifjet dhe etiketimet. Fatkeqësisht ai është i paskrupullt në politikë, ditën i fyen dhe i shanë ata, ndërsa natën me të njëjtit njerëz darkon, pra ky është morali politik i Lutës”, përfundon reagimi i degës së PDK-së në Gjilan.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pdk-haziri-me-i-keq-se-haradinaj-dje-i-quante-thacin-e-veselin-kriminele-sot-po-i-ledhaton/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala