Pavarësohen universiteti i Gjilanit, i Mitrovicës dhe i Gjakovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit të Prishtinë “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, kanë nënshkruar marreveshje me u.d. rektorët e Universitetit të Gjilanit, Mitrovicës dhe Gjakovës, me të cilën këto universitete të reja publike pavarësohen nga Universiteti i Prishtinës.

Ministri Bajrami e vlerësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme, sepse tha se manifeston kulturën akademike, të cilën po ndërtojmë. “Universiteti i Prishtinës ka qenë dhe vazhdon të jetë vatra kryesore e edukimit të arsimit të lartë në Kosovë. Nga ky Universitet jo vetëm që është krijuar një elitë akademike, por është krijuar edhe një rrjet i universiteteve publike, sepse tani kemi gjatë universitete publike”.

Decentralizimin e universiteteve të reja publike, ministri e vlerësoi si një projekt sfidues, duke qenë se të gjitha kanë dalë nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa tha se tani ka ardhë koha që këto universite të reja të konsolidohen dhe të pavarësohen dhe ato dalëngadalë të marrin përgjegjësinë edhe për aspektet akademike, menaxheriale dhe financiare.

Duke theksuar nevojën edhe më tutje të universiteteve të reja për staf akademik, ministri Bajrami theksoi faktin se Universiteti i Prishtinës është pajtuar që të ndihmojë edhe më tutje universitetet e reja me staf, “të tregojë solidaritetin akademik brenda standardeve akademike, duke lejuar secilin profesor të Universitetit të Prishtinës të punojë edhe një ditë pune me një normë të caktuar (6 orë) te universitetet e reja”.

Në gjithë këtë proces, ministri Bajrami tha se përfitues do të jenë studentët e të gjitha universiteteve, por, edhe Universiteti i Prishtinës, i cili tashmë ka rreth 60 mijë studentë. Ndërsa, për universitetet e reja, ministri theksoi se është duke u punuar që të orientojnë programet e tyre kah tregu i punës.

Ministri foli edhe për debatin për Ligjin për Arsimin e Lartë dhe planet për ngritjen e cilësisë përmes mekanizmave dhe caktimit të standardeve në arsimin e lartë.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës dhe u.d rektorët e tri universiteteve të reja theksuan rëndësinë që kanë këto marrëveshje për arsimin e lartë dhe zhvillimin e universiteteve.

Me këto marrëveshje do të rregullohet përfundimisht çështja e lëvizshmërisë së stafit akademik, statustit të punëtorëve administrativ, statusit të studentëve, buxhetit dhe çështje të tjera të rëndësishme për funksionimin e këtyre universiteve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pavaresohen-universiteti-i-gjilanit-i-mitrovices-dhe-i-gjakoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala