Pasurimi i fshehtë i politikanëve kosovarë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, qëndron fort edhe financiarisht. Biçikleta që e kishte deklaruar si një nga dy pronat e tij nuk çon peshë sa piktura që ai e kishte realizuar më 1995, si shtatëvjeçar. Në formularin e deklarimit të pasurisë, më 2014, pikturës ia kishte vënë çmimin një miliard euro.

Këtë vit, “lexhendari” Arifaj ka harruar ta deklarojë pasurinë e tij.

“Prej gjithë asaj pasurie, m’ka dalë prej mendjes me dorëzu deklaratën vjetore të pasurisë. Harron njeriu, çka me bo?”, është arsyetuar kryetari lexhendar. Por i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi, me një ditë vonesë, Arifaj e ka dorëzuar formularin, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ndoshta listat nuk janë përditësuar për shkak se e kam deklaruar një ditë më vonë. E kam kontaktuar AKK-në dhe më kanë konfirmuar se u ka arritur formulari im dhe se çdo gjë është në rregull”.

Njësoj sikurse Arifaj, edhe 4 mijë e 125 zyrtarë të tjerë kanë mundur të deklarojnë pasurinë duke ia caktuar vetë vlerën monetare. Piktura dhe çmimi ironizues prej 1 miliard eurosh i “kryetarit të fortë” shpërfaq mangësitë e ligjit që obligon zyrtarët publik të deklarojnë pasurinë e tyre, e sidomos kamuflimin dhe mashtrimin që këta zyrtarë ia bëjnë opinionit publik.

Përfaqësues të shoqërisë civile si problem kryesor e shohin mos hetimin e prejardhjes së pasurisë. Edhe mekanizmat e krijuar për hetimin e prejardhjes së pasurisë po shihen të padobishëm. Deri tani asnjëherë nuk ka pasur hetim për mënyrën se si politikanët kanë rritur pasurinë përtej pagës që marrin brenda një mandati.

Milionerët e politikës

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar për këtë vit regjistrat e deklarimit të pasurisë së mbi 4 mijë zyrtarëve të lartë publikë nga Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Qeveria, institucionet e pavarura, ndërmarrjet publike, e deri te komunat.

Në bazë të asaj që kanë deklaruar zyrtarët, milionerë ka në secilin institucion.

Janë katër formularë të deklarimit të pasurisë, të qasshëm në faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Ata që realizojnë pagën më të lartë në Kosovë nuk janë as presidentja, as kryeministri e as kryetari i Kuvendit. Adrian Zalli, drejtor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, është zyrtari që ka pagën katërfish më të lartë se paga e kryeministrit të Kosovës, apo për gjysmë më të madhe se paga e presidentes. Zalli ka pagë vjetore prej 71 mijë e 500 euro, apo rreth 6 mijë euro në muaj, pa llogaritur mëditjet nga udhëtimet që janë 810 euro. Pas Zallit, pagën më të lartë e ka kryeshefi ekzekutiv i Postë-Telekomit të Kosovës, Ejup Qerimi, i cili merr rreth 50 mijë euro në vit. Qerimi ndërkohë është larguar nga PTK-ja dhe është zëvendësuar me ish-drejtorin e Aeroportit të Prishtinës, Agron Mustafa.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pasurimi-i-fshehte-i-politikaneve-kosovare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala