Partneriteti ushtarak bën që Kosova të hapë konsullatë në Iowa

Autori:Avdyl Pajaziti

Deri në fund të vitit, banorët e Des Moines, kryeqytetit të shtetit të Iowas, do të kenë mundësi të shohin flamurin e kaltër e ari të Kosovës duke valuar në qendër të qytetit.

Shteti i vogël ballkanik planifikon të hapë një konsullatë në qendër të Des Moines, një hap ky i paprecedent për të cilin zyrtarët lokalë por edhe ekspertë të çështjeve ndërkombëtare thonë se mund t’i hap derën mundësive të reja biznesore dhe të shtrojë rrugën që edhe vende tjera të ngrenë flamujt e tyre në kryeqytetin e Iowas.

“Është shumë e rëndësishme për ne si rajon”, ka thënë për “The Desmoines Register” Jay Byers, Drejtor Ekzekutiv i “Greater Des Moines Partnership”, grup i bizneseve lokale. “Ne mendojmë se ka potencial që edhe vende tjera të botës, veçanërisht ato të voglat që kanë ekonomi me bazë në bujqësi, të marrin në konsideratë hapjen e një konsullate në Des Moines apo diku në Iowa”, transmeton Koha.net.

Zyra e Kosovës në qendër të qytetit do të jetë konsullata e parë me shërbime të plota në Iowa. Disa vende tjera, si Norvegjia, Franca, Danimarka e Gjermania, kanë konsullata nderi në Des Moines. Por ato drejtohen nga vullnetarë, dhe nuk kanë staf me orar të plotë apo zyra të dedikuara.

Zyra e Kosovës pritet të hapet gjatë këtij viti. Zyrtarët ende nuk kanë nënshkruar kontratën për objektin, prandaj edhe nuk thonë se ku saktësisht do të jetë e vendosur në distriktin Court Avenue.

“Po na vendos në hartën ndërkombëtare”, ka thënë Mahmoud Hamad, profesor i asocuar i shkencave politike që ligjëron për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Drake. “Është mirë për biznes, por mund të jetë e mirë edhe për institucionet edukative në rajon”.

Një “goditje e befasishme” për Des Moines

Kosova, e dalë kohë më parë nga lufta, ka vendosur marrëdhënie ushtarake dhe diplomatike me Iowan gjatë dekadës së kaluar. Pas misioneve paqeruajtëse në Kosovës, Garda Kombëtare e Iowas formoi një partneritet zyrtar me ushtrinë e Kosovës më 2011. Më 2013, Kosova u bë shteti i nëntë simotër i Iowas.

Konsullata në Des Moines do të bëhet baza e tretë diplomatike e Kosovës në SHBA pas ambasadës në Washington, D.C., dhe një konsullate në New York City.

Edhe me marrëdhënie të forta diplomatike, është e rrallë për një komb të hap një konsullatë në një qytet të vogël siç është Des Moines, ka thënë Kim Heidemann, drejtoreshë ekzekutive e Iowa Sister States. Vendet që synojnë prezencë në Midwest zakonisht zgjedhin Chicagon, transmeton Koha.net.

“Prandaj, fakti se Kosova po e shmang Chicagon dhe po vjen këtu, është një veprim goxha befasues”, thotë ajo.

Kosova zgjodhi Des Moines për shkak të lidhjeve të forta me Iowan dhe për shkak të mundësive të lehta për të bërë biznes në një qytet të vogël, ka thënë Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku. Në Iowa, Kosova është një peshk i madh në një pellg të vogël. Diplomatët e vendit kanë qasje më të mirë në zyrtarët e lartë këtu se që do të kishin në ndonjë qytet të madh.

“Sa herë që kemi ardhur këtu, jemi takuar me zyrtarët më të lartë të Iowas, dhe kështu e pamë potencialin për të forcuar bashkëpunimin”, ka thënë Çitaku për “Register” gjatë një interviste telefonike nga zyra e saj në Washington, D.C, transmeton Koha.net.

Fokusi do të jetë në marrëdhëniet biznesore

Konsullata është një zyrë që promovon tregtinë dhe partneritetet dhe ofron shërbime për qytetarët e vetë që udhëtojnë apo punojnë jashtë vendit.

Për shembull, konsullatat amerikane në vende të huaja, mund t’u ndihmojnë qytetarëve amerikanë që të zëvendësojnë pasaportën e humbur, të raportojnë ndonjë krim apo të kërkojnë asistencë në gjetjen e partnerëve biznesorë, sipas Departamentit të Shtetit.

Zyra e Kosovës në Des Moines nuk do të ofrojë asistencë udhëtimesh për qytetarët e Kosovës, por do të përqendrohet në forcimin e marrëdhënieve biznesore dhe politike, thotë Çitaku.

“Ne besojmë se porsa të hapim këtë konsullatë, kjo do të ofrojë shumë mundësi për bizneset e Iowas dhe ato kosovare që të bashkëpunojnë”, thotë ajo. “Jemi shtet i ri. Ne besojmë se porsa të hapim konsullatën, do të hapen mundësi të shumta për bashkëpunim mes bizneseve të Iowas dhe atyre të Kosovës”, tha Çitaku, transmeton Koha.net. “Jemi shtet i ri. Jemi demokraci në zhvillim dhe po provojmë që të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe vendit tonë”.

Edhe përkundër marrëdhënieve diplomatike e ushtarake, tregtia nuk është zhvilluar mes Iowas dhe Kosovës. Gene Meyer, president i “Greater Des Moines Partnership”, thotë se nuk njeh ndonjë kompani nga Iowa që bën biznes në Kosovë – apo e kundërta. Kur kishte vizituar Kosovën rreth tre vjet më parë gjatë një misioni tregtar, thotë se kompanitë amerikane kishin rezerva rreth investimit në një vend të ri me një sistem të ri gjyqësor.

Konsullata në Des Moines do t’u ofrojë kompanive nga Iowa një vend për t’u informuar mbi ligjet dhe rregullore në Kosovë, thotë Meyer.

Zyrtarë të të dyja vendeve shohin potencial për partneritet tregtar apo biznesor, veçanërisht në bujqësi dhe bio-shkencë, tani që Kosova është duke e modernizuar industrinë e saj bujqësore.

Hapja e një konsullate zakonisht nuk është thjeshtë një gjest simbolik, thotë Hamad, profesor i Universitetit Drake.

“Nuk shpenzohen mijëra dollarë në një konsullatë përderisa nuk ka diçka që dëshironi të nxirrni nga ajo. Zakonisht ato hapen për interesa biznesore dhe ekonomike të cilat pritet të rriten”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Konsullata e lindur nga marrëdhëniet ushtarake

Konsullata e Kosovës ka disa vite që po provon të hapet. Ideja fillimisht lindi rreth tre vjet më parë kur Gjeneral-Majori Tim Orr, ndihmës-gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas, i sugjeroi Ambasadorit të atëhershëm të Kosovës, Akan Ismailit.

Ismaili ishte shumë i interesuar në forcimin e kësaj ideje tutje, duke siguruar kështu edhe mbështetjen e presidentes së Kosovës dhe Guvernatorit të Iowas, Terry Branstad.

“Ai vizitoi Iowan disa herë dhe deshi që të mbajmë idenë e konsullatës të gjallë”, thotë Orr.

Parlamenti i Kosovës dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë aprovuar konsullatën në Des Moines, thotë Orr, transmeton Koha.net. Muajve të fundit, “Greater Des Moines Partnership” ka ndihmuar Kosovën në gjetjen e hapësirës së lirë.

Do të jetë një zyrë e vogël, me hapësirë për një zyrtar konsulence dhe një apo dy punëtorëve administrativ, ka thënë Çitaku.

Liderët lokalë një zyrë ndërkombëtare e shohin si një pikë krenarie.

“Për Des Moines dhe Iowan, është vërtetë diçka e madhe të thuash, ‘Po, kemi një konsullatë në qytetin tonë’”, thotë Dennis Dietz, kryesues themeltar i marrëdhënies Simotër Iowa-Kosovë dhe avokat-gjykatës i pensionuar i Gardës Kombëtare Ushtarake të Iowas. “Është linjë direkte me Kosovën, dhe unë mendoj se është edhe linjë direkte me Evropën”.

Kosova është i vetmi vend që ka shfaqur interesim në hapjen e një konsullate në Iowa, por zyrtarët lokalë thonë se shpresojnë që ky hap do t’i shtyjë edhe shtetet tjera simotra – që përfshijnë Prefekturën Yamanashi Prefecture në Japoni dhe Provincën Hebei në Kinë — të ndjekin këtë shembull.

“Nuk do të befasohesha nëse edhe shtetet tjera simotra – të tetë ato si Japonia e Kina – do të shikonin dhe do thoshin se ka një mundësi këtu”, thotë Orr, transmeton Koha.net. “Dikush duhet ta nis, dhe kësaj radhe ndodhi të ishte Kosova”.

Marrëdhëniet e thella nga partneriteti ushtarak

Plani për hapjen e një konsullate në qendër të Des Moines është vetëm lidhja e fundit mes Iowas dhe Kosovës.

Marrëdhënia Iowa-Kosovë nis nga misionet paqeruajtëse pas luftës brutale me Serbinë më 1998 dhe 1999 që përfundimisht çoi drejt pavarësisë së Kosovës. Që nga viti 2003, më shumë se 700 pjesëtarët të Gardës Kombëtare të Iowas kanë zbarkuar në Kosovë.

Marrëdhëniet e ndërtuara gjatë këtyre zbarkimeve përfundimisht u rritën drejt një partneriteti formal. Më 2011, Garda Kombëtare e Iowas dhe Forca e Sigurisë së Kosovës iu bashkuan Programit Shtetëror për Partneriteti, program ky i zhvilluar pas Luftës së Ftohtë për të ndërtuar marrëdhënie diplomatike mes njësive të Gardës Kombëtare dhe ushtrive të huaja. Partneriteti me FSK-në është i pari për Gardën Kombëtare të Iowas, transmeton Koha.net.

Tani, së paku pesë pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowas janë të vendosur në Kosovë gjatë gjithë kohës – një ndërlidhës në Ambasadën Amerikane dhe katër pjesëtarë të Gardës në bazën e NATO-së, thotë Orr.

Si pjesë e partneritetit, Kosova ka dërguar njësite ushtarake në Kampin Dodge, baza e Gardës Kombëtare jashtë Des Moines, për të mësuar taktika nga homologët e tyre në Iowa. Gjatë qëndrimit të tyre në Iowa, ushtarët e Kosovës mësuan për kulturën amerikane, bënë Pazar në Jordan Creek Town Center dhe përcollën ndeshje të Iowa Cubs.

Kjo lidhje shërbeu si pikë kthese për afrimin e marrëdhënieve politike. Më 2013, Kosova u bë shteti i nëntë simotër i Iowas. Guvernatori Terry Branstad e zyrtarizoi këtë partneritet kur vizitoi atë vit shtetin e vogël ballkanik si pjesë e një misioni tregtar evropian.

Por, në këtë drejtim janë rritur edhe marrëdhëniet në edukim e hulumtim. Universiteti Graceland në Lamoni ka pranuar dhjetëra studentë kosovarë që nga paslufta.

Hulumtues të shkencave biologjike për kafshë në Universitetin Shtetëror të Iowas (ISU) kanë punuar me veterinerë në Kosovë për të përmirësuar gjenetikën e bagëtive të vendit. Në muajin korrik, një lopë qumështore lindi në Kosovë nga një embrion i ngrirë i ofruar nga ISU. Ishte ky viçi i parë i sjellë në jetë përmes një embrioni të ngrirë në Kosovë, dhe hulumtuesit në ISU shpresojnë se do të ofrojnë një mënyrë më të lehtë për të përmirësuar bagëtitë qumështore pa pasur nevojë që të dërgojnë lopë përtej Atlantikut, transmeton Koha.net.

Shtetet simotra të Iowas

Prefektura Yamanashi, Japoni (marrëdhënia e krijuar më 1960)

Jukatani, Meksikë (1965)

Provinca Hebei, Kinë (1983)

Terengganu, Malajzi (1987)

Stavropol Krai, Rusi (1988)

Tajvani (1989)

Cherkasy Oblast, Ukrainë (1996)

Rajoni Veneto, Itali (1997)

Kosova (2013)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/partneriteti-ushtarak-ben-qe-kosova-te-hape-konsullate-ne-iowa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala