Parlamenti Studentor kërkon “zbutjen” e kushtit për regjistrimin e vitit (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka organizuar të martën një protestë para Ministrisë së Arsimit, me kërkesë që të “zbutet” kushti për regjistrimin e vitit të dytë të studimeve.

Edhepse protesta mbeti nën hijen e zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, duket se përfaqësuesit studentorë janë optimistë lidhur me plotësimin e kësaj kërkese. Një përshytypje e tillë mund të fitohet nga komunikata në faqen zyrtare të Parlamentit Studentor në Facebook ku thuhet se “protesta ka dhënë menjëherë efektet e veta” pasi kërkesa e Parlamentit do të shqyrtohet nga Këshilli Drejtues i UP dhe Inspeksioni i Arsimit.

Në fakt, protesta është organizuar në mbështetje të një kërkese që Parlamenti Studentor ia ka drejtuar këtyre dy organeve që të anulohet vendimi i Senatit të UP i dt. 8 dhjetor 2014, me të cilin përcaktohet se viti i dytë i studimeve në UP regjistrohet me më së shumti një provim të pa dhënë. Ndërkaq, kërkesa e përfaqësuesve studentorë është që regjistrimi i vitit të bëhet me 3 provime të pa dhëna.

Nga një burim i ORAinfo i afërt me MASHT kuptojmë se, me sugjerimin e ministrit Arsim Bajrami, është ftuar mbledhja e Këshillit Drejtues të UP për dt. 19 nëntor ku do të shqyrtohet kërkesa e studentëve. Megjithatë, burimi ynë thotë se nuk ka asnjë bazë ligjore që vendimit i Senatit të anulohet pas një viti, sidomos kur merret parasysh se Këshilli Drejtues nuk ka kompetenca për çështje akademike. Për më tepër, nuk është e sigurtë se mbledhja do të mbahet.

Mbledhja e Këshillit Drejtues e caktuar për javën e kaluar dështoi për shkak se anjëri nga anëtarët e zgjedhur nga Senati i Universitetit nuk ju përgjigj ftesës për mbledhje për shkak të raporteve të tensionuara me rektorin Ramadan Zejnullahu.

Rikujtojmë se bëhet fjalë për ata anëtarë që morën vendimin për shkarkimin e rektorit Zejnullahu, gjë që shkaktoi pakënaqësi masive në opinion dhe anulim të vendimit nga ministri Bajrami, si dhe shkarkimin nga detyra të kryetares së Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj, raporton ORAinfo.

Megjithatë, marrja e një vendimi në favor të studentëve nuk përjashtohet as në kushte të tilla.

“Pozicioni i këtyre anëtarëve të Këshillit Drejtues është i pamundur. Ata kanë humbur çdo lloj kredibiliteti në Universitet dhe janë turpëruar publikisht, prandaj mund të ndodhë që të marrin një vendim jashtë autorizimeve të tyre që do ta çrregullonte situatën në Universitet dhe do ta përmirësonte sado pak reputacionin e tyre në sytë e studentëve. Edhe Parlamenti Studentor ka nevojë për një “fitore” pasi është komprometuar keq me përfshirje në shkarkimin e rektorit, ndërkohë që kërkesat e tij për afate shtesë dhe zbutje kushti kanë hasë në vesh të shurdhër”, thot burimi ynë. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/parlamenti-studentor-kerkon-zbutjen-e-kushtit-per-regjistrimin-e-vitit-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala