Parlamenti grek miraton paketën e shpëtimit

Autori:Avdyl Pajaziti

Në mengjesin e hershëm të ditës së sotme, kryeministri grek Alexis Tsipras mori mbështetjen e ligjvënësve për planin e reformave ekonomike, duke i dhënë atij të drejtën ligjore që të negocioje për të arritur një marrëveshje me bazë propozimet greke, që synojnë t’i japin fund krizës së borxhit.

Pavarësisht mbështetjes së Parlamentit për masat, Tsipras u përball me një rebelim në partinë e tij që mund të kërcënojë shumicën në Parlament. Masat u miratuan me mbështetjen e partive opozitare pro-europiane.

Me bankat ende të mbyllura dhe krejtësisht të varura nga një Banka Qendrore Europiane, masat janë parë si shansi i fundit për të shmangur kolapsin e sistemit financiar dhe për të parandaluar një dalje të Greqisë nga Eurozona.

Gjatë së premtes në Parlament, Tsipras tha: “Morëm mandat që të sjellim një marrëveshje më të mirë në Parlament dhe jo të nxjerrim Greqinë nga Eurozona. Midis një katastrofe dhe një zgjidhjeje të keqe, kur dikush të kërkon ose paratë ose jetën, duhet të bësh më të mirën”.

Ai e mbylli fjalimin duke thënë: “ose vazhdojmë të gjithë bashkë, ose ikim të gjithë bashkë”; dhe është duartrokitur nga grupi parlamentar.

Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, marrëveshja e re ka vërtet pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.

Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 mld euro, si dhe rreth 15 mld për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 mld euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/parlamenti-grek-miraton-paketen-e-shpetimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala