Parisi, i blinduar përpara samitit botëror të klimës

Autori:Gazeta Fjala

Afro 150 udhëheqës botërorë janë duke u mbledhur këtë të dielë në Paris, nën masa tepër të rrepta sigurie, për të zhvilluar takime në kuadrin e samitit të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.

Konferenca, e njohur ndryshe si “COP21”, nis të hënën dhe me të gjitha gjasat do të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë për të kufizuar emetimet e karbonit.

Vëzhguesit thonë se sulmet e fundit terroriste në kryeqytetin francez do të rrisin mundësitë e arritjes së kësaj marrëveshjeje të re. Ndërkohë, rreth 40 mijë persona priten të marrin pjesë në këtë ngjarje, e cila do të vijojë deri më 11 dhjetor.

Mbledhja e 147 krerëve të shteteve dhe qeverive nga mbarë bota do të jetë pak më e madhe sesa prania e 115 udhëheqësve që morën pjesë në samitin e 2009-s në Kopenhagen, në atë që konsiderohet si hera e fundit që bota shkoi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje afagjatë mbi ndryshimet klimatike, por pa ia dalë.

E ndërsa shumë udhëheqës, përfshi Presidentin Obama dhe homologun e tij kinez, Xi Jinping, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë konferencë, sulmet e pak javëve më parë në Paris kanë inkurajuar edhe të tjerët që të vijnë, qoftë edhe për solidaritet me popullin francez.

Ndryshe nga Kopenhageni, organizatorët francezë pritet t’i vendosin krerët botërorë kokë më kokë që në fillim të konferencës, e jo të presin deri ditët e fundit të samitit për të zhvilluar takimet mes tyre, një taktikë që dështoi në mënyrë surprizuese në kryeqytetin danez.

Megjithatë, delegatët janë paksa në dyshim se, hija e hedhur mbi kryeqytetin francez nga sulmet terroriste të ISIS do të përforcojnë mundësitë e një marrëveshjeje. Edhe pse humori i përgjithshëm i eventit është pozitiv, ka ende shumë dallime të konsiderueshme mes palëve në diskutime.

Njëri prej problemeve kyçe është forma që do të ketë marrëveshja. SHBA-të, me të gjitha gjasat, nuk do të angazhohen për një marrëveshje detyruese ligjore, pasi ajo do të kishte shumë pak gjasa që të miratohej në Senatin e dominuar nga republikanët. Ndërsa shumë vende në zhvillim nuk bien dakord mbi aspekte fundamentale, siç edhe Bashkimi Europian. Por veç formës ka edhe shumë çështje që lidhen me përmbajtjen e saj. Ka shumë pikëpamje të ndryshme se, cili do të jetë qëllimi afatgjatë i kësaj marrëveshjeje./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/parisi-i-blinduar-perpara-samitit-boteror-te-klimes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala