Papunësia, rritet te femrat, ulet te meshkujt

Autori:Avdyl Pajaziti

Shkalla e papunësisë ka shënuar rënie për meshkujt dhe është rritur për femrat në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas Anketës së Forcave të Punës së publikuar sot nga INSTAT.

Sipas të dhënave rezulton se për popullsinë nga 15-64 vjeç, shkalla e papunësisë për femrat është rritur nga 16.1% në tremujorin e fundit 2014 në 16.8% në tremujorin e parë 2015. Për meshkurt treguesi është ulur përkatësisht nga 19.4% në 17.7%.

Në raport me një vit më parë, shkalla e papunësisë për femrat ka mbetur në të njëjtin nivel 16,8 %, ndërsa për meshkujt ka rënë me 2,2 pikë përqindje.
Në total, për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,3 %, duke shënuar rënie sin ë raport me tremujorin e fundit 2014 (kur ishte 18%) ashtu dhe në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte 18.6%.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, sipas Anketës së Forcave të Punës, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.039.545 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 217.647 persona.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 në Shqipëri:

 Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,1 %.

 63 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.

 Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 52,1 %.

 Shkalla e punësimit për meshkujt është 14,3 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:

 Numri i të punësuarve është rritur me 103.945 persona.
 Numri i personave të papunë është rritur me 3.279.
 Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 99.544.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:

 Numri i të punësuarve është rritur me 210 persona.

 Numri i personave të papunë ka rënë me 9.760.

 Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës është rritur me 11.442.

 Shkalla e papunësisë ka rënë me 1,7 pikë përqindje për meshkujt dhe është rritur me 0,7 pikë
përqindje për femrat.

Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i katërt 2014 në tremujorin e parë 2015 është: 3 % në sektorin e shërbimeve jo të tregut; 2,4 % në bujqësi; 1,9 % në aktivitetet e industrisë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet e ndërtimit me 2,3 %; në industrinë përpunuese prej 5,3 %; dhe me 0,8 % në sektorin e shërbimeve të tregut.

Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 10,6 % (krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014). Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët: ndërtim me 21,7 %; shërbime jo të tregut me 12 %; shërbime të tregut me 9 %; industri përpunuese me 11 %; bujqësi me 9,9 %. Në terma vjetorë punësimi pësoi një rënie prej 3,4 % vetëm në grup-aktivitetet e industrinë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë.

shkalla e papunesisestruktura e punesimitUntitled

 

ritmi i rritjes

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/papunesia-rritet-te-femrat-ulet-te-meshkujt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala