Pampuri i Lepencit

Autori:Avdyl Pajaziti

Sinan Krasniqi shet molla, dardha, arra dhe gështenja në kthesën skaj Urës së Hekrit, siç i referohen banorët e fshatrave Brod e Firajë. Molla, dardha arra dhe gështenja kishte shitur Krasniqi (63) edhe në fëmijëri. Atëherë blerësit ishin pasagjerë vendas e të huaj të trenit.

Tani të rrallë janë shoferët e pasagjerët e makinave që kalojnë nëpër urën që këput Lepencin. Atëherë luginën e përshkonte hekurudha me binarë të ngushtë. Sot rruga e asfaltuar.

“Hipsha atje poshtë në tren dhe ua shitsha udhëtarëve”, kujton mustaqeziu Krasniqi. “Por nuk ish problem me hip se treni shkonte ngadalë se përpjetë rruga. Zbritsha te stacioni ma nalt”, thekson banori nga Firaja, që me rrëfimin e tij habit edhe Suad Ismajlin (23) nga fshati fqinj, Brod, shkruan “Koha Ditore”.

Nja tridhjetë metra poshtë njërës këmbë të urës, ku shitësi reklamon pemët, barishtet e egra ua kanë zënë pamjen tri shtyllave të betonit në njërën anë të shtratit të lumit që çan në dysh lugun. Shtylla të ngjashme betoni shihen gjithandej rrjedhës. Disa sosh nuk i kanë përballuar rrymës. Përgjatë pjesës së dy fshatrave të Shtërpcës nuk shihen pjesë të tjera të hekurudhës. Pjesë të hekurta e të çelikta shërbejnë si shtylla nëpër shumë objekte bujqësore të shtëpive përreth.

Nuk ka një datë të dokumentuar për kohën e ndërtimit të hekurudhës Kaçanik-Vërbeshticë, nga Gjermania naziste gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Kjo ka nxitur edhe Jonuz Ahmetin, aktivist nga Brodi dhe themelues i Shoqatës së Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj të Shtërpcës, të postojë në “Syrinika” në “Facebook” pyetjen “Pampuri i vogël, tyneherësh, a ka kush e mban mend?”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pampuri-i-lepencit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala