Pamje e dhomës që i burgosuri ndërtoi për vete në burgun e Prizrenit (Foto/Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Nezir Kryeziu, i cili më 25 tetor të vitit të kaluar u dënua me 9 vjet e 10 muaj burg për tejkalim të vetëmbrojtjes dhe vrasje në tentative, ngase akuzohej se vrau një person dhe plagosi një tjetër, është personi i cili ndërtoi një dhomë private brenda institucionit të burgut në Prizren.

Kryeziu, ndërtimin e kësaj dhome banimi të ndarë nga të burgosurit tjerë, e cila gjendet në oborrin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren e bëri në bashkëpunim me zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Nezir Kryeziu akuzohej se në shkurtin e vitit 2011 në zyrën e firmës ‘’Malik Impex’’ në Prizren, ka vrarë 22- vjeçarin Burim Shabani, ndërsa ka plagosur edhe babanë e tij Xhavit Shabanin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria e EULEX-it ngarkonte këtë 52 vjeçar nga Suhareka se qëlloi me shtatë plumba të ndjerin Shabani, njëri prej të cilëve e goditi viktimën në kokë.

Me të njëjtën armë, sipas prokurorisë, Kryeziu gjuajti në drejtim të Xhavit Shabanit, babait të të vrarit, të cilin e qëlloi me dy plumba: njërin rrëshqitas në kokë, e tjetrin në kraharor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Incidenti dyshohet se ka ndodhur për një borxh material. Në njërën nga seancat e mbajtura të shqyrtimit kryesor, i akuzuari Kryeziu i kishte thënë trupit gjykues se bëhej fjalë për një borxh prej rreth 650 mijë eurosh, të cilin i dëmtuari Xhavit Shabani obligohej t’ia kthente të akuzuarit.

Kallxo.com përcolli këtë gjykim, ku mund ta shihni videon, në të cilën shihet i akuzuari Kryeziu.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pamje-e-dhomes-qe-i-burgosuri-ndertoi-per-vete-ne-burgun-e-prizrenit-fotovideo/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala