Pallati i Rinisë po shkatërrohet pa ”zot shpie”

Autori:Gazeta Fjala

Në mungesë të pronarit, “Pallati i Rinisë” për çdo ditë po e humb imazhin nga dëmtimet dhe mungesa e investimeve. Tatpjetën kjo ndërmarrje e mori në vitin 2000, kur u dogj një pjesë e saj dhe nga kontestet gjyqësore për dëmshpërblimet e pronarëve të lokaleve. Statusi i Pallatit ende mbetet i pazgjidhur dhe nga viti 2006 administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), megjithëse Komuna e Prishtinës po synon ta kthej nën menaxhim.

Menaxhmenti aktual i Pallatit kërkon që statusi i kësaj ndërmarrjeje prej 30 mijë metrave katrorë jetë ndërmarrje publike e menaxhuar nga komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës.

Drejtori gjeneral i Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, Çaush Berisha, për KosovaPress thotë se Pallati vazhdon të jetë pa status dhe aktualisht po menaxhohet nga AKP. Sipas tij, për mungesë të titullarit nuk ka donacione dhe kredi për rregullimin e pjesës që është shkatërruar nga zjarri i vitit 2000.

“Kemi vështirësi për arsye se statusi është i pa zgjidhur, nuk po kemi mundësi me tërheq ndonjë donacion ose me hy ndonjë kredi për rregullimin e pjesës që është shkatërruar nga zjar ri i vitit 2000”, tha drejtori Berisha.

Ai thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka shprehur interesim rreth Pallatit, meqë sipas tij nuk është ende nën juridiksionin e saj.
Mësohet se kjo ndërmarrje nuk mund të privatizohet pasi nuk ka listë poseduese. Por për privatizim Breisha thotë se nëse Pallati do të ishte më keq për rininë, meqë përvojat e privatizimit në Kosovë kanë qenë të këqija.

Menaxhementin e kësaj ndërmarrjeje po e preokupojnë edhe vështirësitë financiare me bllokimin e llogarive bankare për këtë Pallat nga procesi gjyqësor të cilin e ka humbur në vitin 2012 nga pronarët e lokaleve për djegien në vitin 2000.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Xhevdet Pozhari ka thënë për KosovaPress, se kjo komunë është duke insistuar që me Ligjin për Prishtinën, Pallati i Rinisë t’i takojë për administrim Komunës së Prishtinës bashkë me komunat tjera, Obiliqin dhe Fushë Kosovën, që kanë investuar në këtë ndërmarrje shoqërore.

“Kryetari Ahmeti që nga fillimi i mandatit të tij ka kërkuar që kjo ndërmarrje, Pallati i Rinisë të kthehet në kompetenca të Komunës së Prishtinës, pasi që është ndërtuar me fonde edhe të qytetarëve të Komunës së Prishtinës, komunës së Obiliqit dhe komunës së Fushë Kosovës. Jemi duke insistuar që në ligjin për Prishtinën kjo çështje të definohet dhe përfundimisht të zgjidhet edhe ky kontest”, thotë zëdhënësi Pozhari.

Ndërsa, edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) nuk janë deklaruar për gjendjen dhe statutin e Pallatit të Rinisë edhe pse e menaxhojnë këtë ndërmarrje.

Nën ombrellën e Pallatit të Rinisë operojnë rreth 140 biznese, disa salla sportive, 120 punëtorë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre 44 klube sportive.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pallati-i-rinise-po-shkaterrohet-pa-zot-shpie/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala