Pallaska: E keqja nga Asociacioni do të vijë me hartimin e statutit

Autori:Gazeta Fjala

Pas arritjes së marrëveshjes, të martën në Bruksel, pala kosovare është shprehur se Asociacioni do të jetë veç një OJQ dhe do të funksionojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Por, njohësi i çështjeve juridike, Dastid Pallaska vlerëson se marrëveshja e publikuar për themelimin e Asociacionit, vë në dukje një varg kompetencash ekzekutive, të cilat i japin karakterin dhe statusin ligjor të një organizate shtetërore.

Duke folur për marrëveshjet e mbrëmshme, në një bisedë për Radio Dukagjinin, Pallaska tha se marrëveshja mund të krijojë tension, që hap një faqe të re të historisë.

“Me këto struktura do të pasurohen dhe fuqizohen këta aparatçikët e ndryshëm, qofshin shqiptarë, qofshin serbë dhe do të lidhin koalicion, që i lidh interesi kriminal dhe për këtë arsye kjo marrëveshje mund të krijojë tension”.

Pallaska, më tutje, për Info Box tha se e keqja e vërtetë do të vijë në formën e statutit, i cili do të miratohet nga anëtarët e Asociacioni të Komunave me shumicë Serbe.

“Aty do ta shohim, do ta ndjejmë peshën e rëndë të kësaj marrëveshjeje dhe dëmin që do t’ia shkaktojë Kosovës. Të flasim drejt, për atë statut nuk do të kemi asnjë kontroll çfarëdo qoftë ai, as Qeveria, dhe asnjë organ tjetër, për arsye se mbi këto parime Asociacionit i është dhënë e drejta e plotë që ta hartojë Statutin”.

Një tjetër pikë problematike, sipas Pallaskës është se Asociacioni ka aftësi ligjore që të ketë në pronësi ndërmarrje publike në nivelin komunal, që nënkupton se do të ofrojë shërbime publike, si ujësjellësi, kanalizimi dhe pastrimi.

Me ndërmjetësimin e Shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pala kosovare dhe ajo serbe kanë nënshkruar, dje në Bruksel, katër marrëveshje në pako, siç është ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Energjinë, Telekomin dhe Parkun e Paqes mbi Ibër.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pallaska-e-keqja-do-te-vije-me-hartimin-e-statutit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala