Pallaska: Armiqësia me Shtetet e Bashkuara na dërgon në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës

Autori:Gazeta Fjala

Avokati Dastid Pallaska ka komentuar thënë se armiqësia me SHBA’në e çon Kosovën në vetizolim të modelit të diktatorit Enver Hoxha.

Ai ka thënë se politika e SHBA’së është e qartë: “qofshin ata të korruptuarit e pozitës apo të dhunshmit e opozitës – nuk e kanë vendin në institucione por në burg!”.

“Të gjithë ata që në rrjetet sociale me lehtësinë e një adoleshenti të llastuar po mbjellin armiqësi kundër aleatëve tanë që janë kundër dhunës në Kuvend le ta mbajnë në mend se sot – 8 vite pas pavarësisë – janë pikërisht këta aleatë që garantojnë, ruajnë dhe mbrojnë kufijtë e këtij vendi. Gjuha që po përdoret e dërgon vendin në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës”, ka shkruar Pallaska.

Ky reagim i Pallaskës vjen pas inicimit të një peticioni nga shoqëria civile në Kosovë për largimin e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka dënuar dhunën në Kuvendin e Kosovës.

Lexojeni të plotë reagimin:

Përpjekja e elitës politike për përvetësim të meritave për çlirimin dhe pavarësimin e vendit i ka bërë ata dhe disa mendjelehtë si ata që të besojnë në gënjeshtrën e tyre dhe të harrojnë se ky vend u krijua dhe ekziston për shkak të aleancës tonë me demokracitë kryesore perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara.

Të gjithë ata që në rrjetet sociale me lehtësinë e një adoleshenti të llastuar po mbjellin armiqësi kundër aleatëve tanë që janë kundër dhunës në Kuvend le ta mbajnë në mend se sot – 8 vite pas pavarësisë – janë pikërisht këta aleatë që garantojnë, ruajnë dhe mbrojnë kufijtë e këtij vendi. Gjuha që po përdoret e dërgon vendin në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës.

Kjo ndjenjë e armiqësisë ndaj aleatëve tanë është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së guximit të elitës politike në vend për me u marrë vetë me vendimet e vështira këto 8 vite. Në secilin sfidë, sado e vogël që ka qenë, këta “trima” e “patriotë” vendimet e vështira dhe jopopullore ia kanë faturuar aleatëve tanë. Kjo sjellje e papërgjegjshme duhet të dënohet po aq sa edhe përpjekjet e politikës aktuale që aleancat tona strategjike t’i sakrifikojnë në garën e tyre për mbrojtje të pushtetit apo ardhje në pushtet.

E për ata që ende kanë dilema, politika amerikane në Kosovë është shumë e thjeshtë: të gjithë ata që shkelin ligjin – qofshin ata të korruptuarit e pozitës apo të dhunshmit e opozitës – nuk e kanë vendin në institucione por në burg!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pallaska-armiqesia-me-shtetet-e-bashkuara-na-dergon-ne-vetizolim-te-modelit-te-enver-hoxhes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala