Pakoja e re fiskale do të rritë cilësinë e prodhimeve

Autori:Avdyl Pajaziti

Prodhuesit vendorë thonë se pakoja e re fiskale, do të ketë efekte të shumanshme, si në rritjen e cilësisë së prodhimeve, gjithashtu edhe në rritjen e eksportit.

Si rezultat i pakos së re fiskale, prodhuesit vendorë kanë mundësi të investojnë më shumë në teknologji dhe rrjedhimisht të rrisin cilësinë e prodhimeve vendore. Kështu thotë Burim Piraj, udhëheqës i kompanisë për përpunimin e mishit “Meka”.

“Mendoj se cilësia e produkteve vendore është në nivel, por gjithnjë ka hapësirë për përmirësime. Pakoja e re fiskale shpresoj që do të jetë me ndikim pozitiv në këtë drejtim, dhe do të ketë investime në përmirësimin e cilësisë”, thotë Piraj.

Piraj thotë se investimet do të ndikojnë edhe në përmirësimin e faktorëve të tjerë që ndikojnë në shitje, si marketingu, paketimi etj. Por sipas tij, pakoja e re fiskale do të ketë efekte pozitive edhe në rritjen e eksportit.

“Ne presim zhvillime shumë pozitive, ngase me vet faktin që nuk do të kemi nevojë të paguajmë avansë TVSH-në dhe taksën doganore në kufi, por do të paguajmë pasi të shitet produkti, ne kemi mundësi të investojmë në pajisje një sasi të konsiderueshme të cilën e kemi pasur të bllokuar dhe do ta shtojmë eksportin”, theksoi ai.

Ministrja e tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha ditë më parë se me zbatimin e pakos së re fiskale, prodhuesit vendorë mund të jenë konkurrues me prodhuesit e huaj. Por për këtë, sipas saj, duhet të përmbushet edhe një kriter.

“Bizneset tona duhet që të prodhojnë kualitet në mënyrë që të jenë konkurrente në tregun vendor dhe në tregjet e jashtme. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është shumë e zotuar që të gjejë fonde, qoftë përmes mobilizimit të fondeve të donatorëve, apo nga buxheti që të krijojmë një projekt për certifikim të produkteve për nga standardi i cilësisë”, ka thënë ajo.

Ndryshe me pakon e re fiskale që ka filluar të zbatohet nga muaji shtator, nga TVSH-ja janë liruar lënda e parë dhe makineria që përdoret për prodhimtari. Ndërkohë është përshkallëzuar edhe TVSH-ja për mallra, nga 16 në 8 dhe 18 për qind. /Gazeta Tribuna/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pakoja-e-re-fiskale-do-te-rrite-cilesine-e-prodhimeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala