Pacolli: Në Kumanovë nëse u derdh gjaku për avancim të statusit të shqiptarëve, nuk ishte huq

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk u ka shkuar huq gjaku të rënëve në Kumaanovë nëse ata luftuan për avancim të kushteve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni.
“Deri më tash për ngjarjen e Kumanovës ka patur errësirë dhe s’kemi ditur as emrat e të vrarëve që janë shtetas të Kosovës. Sot kur ne dimë më shumë, ne i ngushëllojmë familjet e tyre për dhimbjen e thellë nga kjo humbje tragjike. Nëse gjaku i tyre do të shërbejë për t’i çuar para proceset e avansimit të statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, atëherë ai gjak, pavarësisht rrethanave, nuk ka shkuar kot!”- ka shkruar Pacolli.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të shtojnë presionin ndaj institucioneve në Maqedoni, dhe ka parashtruar disa pyetje për liderët në vend.
“A kanë patur dijeni kryeministri dhe presidentja për përgatitjet e këtij grupi? AKI thotë se i ka njoftuar institucionet. Cila është e vërteta? Pse nuk po tregoni cka ndodhi?”, ka shkruar mes tjerash Pacolli.
Ai ka thënë se ngjarjet në Kumanovë nuk janë të largëta gjeografikisht dhe me këtë rast sipas tij Kosova do të duhej të reagonte në mënyrë diplomatike.