Pacolli: Kompanitë nuk po duan të bëjnë zbritje në polica të sigurimeve

Propozimi i anëtarit të Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare për Sigurime (BKS), Rrahim Pacollit për uljen e tarifave të sigurimit kufitar prej 50 për qind për mërgimtarët, nuk ka marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë të asamblesë. Atë edhe sot e kanë bojkotuar të gjithë drejtuesit e kompanive të sigurimeve. Kështu të paktën ka thënë vet Pacolli në një postim në Facebook:
Ky është postimi i plotë i Pacollit:
Në cilësinë e kryesuesit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të BKS-së, ftova antarët e tjerë për mbledhje për të diskutuar në lidhje me zbritjen e tarifave të sigurimit kufitar, por përveç drejtorit të BKS-se, zëvendës drejtorit dhe drejtorit të një kompanie të sigurimit, të gjithë të tjerët bojkotuan mbledhjen për arsye të panjohura. Siç po vërehet, nuk janë të pajtimit për ofrim të zbritjes në polica të sigurimit kufitar.
Para disa ditësh, publikisht kam kërkuar nga Kryeministri,Parlamenti i Kosovës dhe Banka Qendrore që të lejojnë kompaninë e sigurimeve SIGURIA të bëjë shitjen e policave të sigurimit kufitar, në pika kufitare, me 50 % zbritje, në mënyrë që nga 1 korriku 2015 të fillojë implementimi i këtij vendimi dhe t’u lehësohet bashkatdhetarëve hyrja në territorin e tyre.