Pacolli: KFOR-i bëri mirë që e solli Dikoviqin në Prishtinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për dallim nga pjesa dërrmuese e opinionit kosovar, e ka arsyetuar ftesën që KFOR-i i ka bërë shefit të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, për të qëndruar në Prishtinë.

Pacolli duke komentuar këtë rast përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se Dikoviq me qëndrimin e tij në Prishtinë, e ka kuptuar se pasardhësi i tij do ta ketë të pamundur të kthehet me ushtri në Kosovë.

Komenti i plotë i Pacollit:

Jam plotësisht dakord me gjithë reagimet ndaj shefit të shtabit të ushtrisë serbe që vizitoi Kosovën, gjegjësisht instalimet e KFOR-it në Kosovë.

Dikoviq është një figurë famëkeqe, e akuzuar prej vetë aktivistëve serbë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Dikoviq duhet të ishte në gjyq ose mbas hekurave nëse do bëhej drejtësi e plotë. Ndaj ai mund ta kursente këtë vizitë megjithëse nuk besoj se ka fituar diçka prej saj. Ai, drejtues i një ushtrie të mundur u takua sërish me mundësit e tij. Dikoviq, i rikthyer në vendin e krimit duhet të jetë ndjerë i poshtëruar ndërsa ka parë një Kosovë tjetër nga ajo që ai sundonte deri në vitin 1999, kur u largua me turp prej saj.

Ata ushtarë perëndimorë që e nxorën jashtë me bomba, e poshtëruan sërish kur e kthyen Dikoviqin të shikonte një Kosovë ku serbët nuk bëjnë më ligjin e aparteidit mbi shqiptarët.

Me siguri duke parë instalimet e KFOR-it në Kosovë, shtabin e tij, ndërlidhjen e KFOR me qendrën e NATO-s në Bruksel, forcën reaguese të KFOR ndaj çdo sulmi të jashtëm, Dikoviq ka kuptuar drejtpërdrejt se pse ai, apo çdo pasaardhës i tij e ka të pamundur përfundimisht të rikthehet me ushtri në Kosovën e lirë.

Për të gjithë këto arsye, ndërsa i mirëkuptoj reagimet ndaj Dikoviqit, nuk i kuptoj shumë reagimet kritike ndaj KFOR-it, çliruesit të vërtetë të Kosovës dhe ruajtësit kryesor të sigurisë së kufijve të saj.

KFOR-i e poshtëroi edhe njëherë Dikoviqin, megjithëse jo me bomba në kokën e tij.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pacolli-kfor-i-beri-mire-qe-e-solli-dikoviqin-ne-prishtine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala