Pacolli i shkruan Qeverisë: Mjerë Kosova që po humb kohë me eksperimentet e juaja!

Autori:Zekirja Shabani

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kritikuar rëndë Qeverinë e Kosovës për punën, sic e quanë ai, të keqe me vendin. Ai ka akuzuar ministren e tregtisë, Hykmete bajramin për prishje të raporteve me Bashkimin Evropian dhe mos punë në ngritjen e Kosovës në rangimin e raportit të bërit Binzes.

Pacolli thotë se ende pa i bërë një vit të plotë plotë i emërimit të saj në pozitë, erdhi rënia e konfirmuar nga Banka Botërore, Kosova ra për 2 vende në rankim.

“Duhet punë e mirëfilltë për sukses, kërkohet menaxhim profesional, kërkohet eksperiencë përkushtim e sinqeritet. Të gjitha këto i mungojnë kësaj qeverie andaj pranoni dështimet dhe ndërroni drejtimin se nuk përfiton askush nga gjetja e arsyetimeve për rënie”, shkruan ai.

Përveq kësaj kreu i AKR-së e quan eksperiment punën e kësaj qeverie.

“Mjerë Kosova që prapë po humb kohë me eksperimentet e juaja!”, thotë Pacolli

Lexojeni të plotë shkrimin e Behgjet Pacollit:

Sa keq jeni duke punuar Qeveri!

Indeksi i Të Bërit Biznes i Bankës Botërore (Doing Business) u publikua mbrëmë.

Dy elemente e karakterizuan indeksin: rënia e Kosovës për dy vende, herë e parë pas katër viteve ngritje, si dhe rënia drastike e Shqipërisë në këtë indeks për plot 35 vende.

Tek rasti i ynë, Kosova për katër vite bëri progres të jashtëzakonshëm, u ngrit për plot 64 vende (nga vendi i 128-të në vendin e 64). Reforma (pjesë e programit të AKR) e udhëhequr nga Ministrja Kusari-Lila dhe pastaj Ministri Nikaj, i cili edhe udhëhoqi grupin punues për “Doing Business” e më vonë për një kohë shumë të shkurtër edhe nga ministri Mulaj, tregoi se ndryshimi është i mundur.

Kosova për herë të parë në vitin 2013 ishte në Top 5 shtetet reformatore në Botë. Krejt kjo falë programit dinjitoz, punës dhe dedikimit profesional të udhëheqësve të MTI-së aso kohe.

Ndryshimet në Ministri (në këtë mandat) u përcollën me pompozitet nga tash Ministrja Bajrami, foli fjalë të mëdha politike, hodhi akuza majtas e djathtas për paraardhësen e saj, shkarkoi Sekretaren e Ministrisë, prishi raportet dhe publikisht hodhi akuza ndaj zyrtarit më të lartë të BE-së në vend, si dhe e turpëroi veten me gjestet të cilat nuk i kanë hije një zyrtari të thjeshtë civil e lerë më një Minstreje të Qeverise kur ngjiti njoftimin në hyrje të banesës së Sekretares Naka.

Krejt këto në frymën e “mirëqeverisjes” sipas saj. Megjithatë, ende pa u bë një vit i plotë i emërimit të saj në pozitë, erdhi rënia e konfirmuar nga Banka Botërore, Kosova ra për 2 vende në rankim. Ende më keq, Kosova ka rënie në të gjithë indikatorët e të Bërit Biznes, të gjithë pos njërit, dhe ai është përgjegjësi e Komunave, Lejet e Ndërtimit.

Në më pak se 24 orë nga lajmi për MSA, të cilin partia e cila udhëheq Qeverinë ia atribuoi suksesin vetes, doli lajmi që Kosova dhe në veçanti Qeveria nuk ishin në gjendje as ta mbajnë suksesin e mëhershëm e lëre më të avansojnë më tutje.

Shtrohet pyetja: A më të vërtetë mendoni që për MSA jeni ju Qeveri aktuale për t’u aplauduar? Shumë mirë që u nënshkrua MSA, por ju, Kryeministër rastësisht qëlluat ta nënshkruani.

MSA është 70% komponentë tregtare, ndërsa ju udhëhiqni një dikaster i cili jo që nuk përparon por po shënon rënie. Tash a duhet të akuzojmë edhe Bankën Botërore për subjektivitet ose për anim kah struktura e mëhershme e MTI?

Kjo situatë e tregon një të vërtetë të madhe, suksesi arrihet me punë, me përkushtim dhe profesionalizëm. Suksesi nuk arrihet me etiketime politike, me politika ditore të konsumuara dhe as me kërkim të fajtorëve për dështimet dhe mangësitë tuaja.

Kosovën duam të shohim lart e më lart, dhe jam i sigurt se nuk do të arrijmë larg me rrugën që kemi marrë drejtimin tani.

Definitivisht jo me qasjen aktuale të Qeverisë dhe Parlamentit.

Duhet punë e mirëfilltë për sukses, kërkohet menaxhim profesional, kërkohet eksperiencë përkushtim e sinqeritet.

Të gjitha këto i mungojnë kësaj qeverie andaj pranoni dështimet dhe ndërroni drejtimin se nuk përfiton askush nga gjetja e arsyetimeve për rënie.

Mjerë Kosova që prapë po humb kohë me eksperimentet e juaja!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pacolli-i-shkruan-qeverise-mjere-kosova-qe-po-humb-kohe-me-eksperimentet-e-juaja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala