Bota pa duhan pas 25 vjetësh

Autori:Avdyl Pajaziti

S’ka rëndësi nëse ndodhesh në Los Angeles, Berlin apo Auckland: Për duhanpirësit në këto vitet e fundit po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjejnë një vend brenda katër mureve, ku ata mund të thithin të qetë një cigare. “Jeta po u bëhet ferr e laku po u ngushtohet”, do thoshte ndonjëri të cilit durimi i ka sosur. Në Vjenë madje, një gjykatë në fillim të këtij viti, për herë të parë ndaloi pirjen e duhanit edhe brenda katër mureve të shtëpisë së vetë duhanpirësve.

Ndërsa studiuesit neozelandezë tashmë kanë shkuar edhe një hap përpara. Ata po kërkojnë një ndalim botëror të duhanpirjes, duke ia nisur nga viti 2040.

Një botë pa duhan

“The Lancet” është një grup ekspertësh botërorë të politikës e të shëndetësisë. Në konferencën botërore me titullin shumë domethënës “Shëndetin apo duhanin”, ata do të paraqesin në ditët e ardhshme një program, që sipas tyre, do ta çlirojë botën përfundimisht prej rreziqeve që vijnë prej tij brenda një periudhe thuajse tredekadëshe. Deri atëherë do të jenë më pak se pesë për qind e të rriturve që do të konsumojnë duhan.

Deri në fund të shekullit tonë, sipas ekspertëve në fjalë, do të jenë një miliard njerëz që do të vdesin si pasojë e konsumit të duhanit, nëse nuk ndërhyhet kundër problemit. Deri më tani, janë thuajse 50 milionë njerëz që kanë gjetur vdekjen prej tij.

Vetëm me mbështetjen e qeverive, OKB-së dhe OBSH-së

Konventa kuadër mbi kontrollin mbi duhanin, me ligjet e saj në vende të tilla si Australia, Zelanda e Re, Finlanda, Britania e Madhe apo Irlanda e Skocia, tashmë e ka ulur ndjeshëm konsumimin e duhanit, duke futur masa të forta parandaluese e ndëshkuese.

Pak ditë më parë, Irlanda u bë dhe vendi i parë europian që ka nxjerrë një ligj që ndalon logot e markave mbi paketat e cigareve. Duke ndjekur shembullin australian, të gjitha produktet e duhanit që do të shiten tani e tutje në Irlandë do të vishen me ngjyrën e zezë standarde, në të cilën me germa të mëdha do të shfaqen paralajmërime të forta e shumë të dukshme, si dhe pamje të njerëzve që vuajnë sëmundje që lidhen me duhanpirjen.

Shumë ndërmarrje në Europë e kanë kritikuar hapin e ndërmarrë nga qeveria irlandeze, duke argumentuar se ligji irlandez po shkel të drejtën e tregut dhe tregtinë e lirë brenda Europës. Deri në dhjetë vende europiane tashmë e kanë ngritur zërin ndaj ndalimit që Irlanda i ka bërë marketimit të logove të markave të cigareve.

“Por, për të pasur një rregull botëror të unifikuar, duhet të hartosh e të vesh në zbatim ligje të koordinuara”, thuhet në draftin e tyre.

Për të arritur në një botë pa duhan, duhet t’i thuash jo çdolloj forme reklamimi, sponsorizimi apo promovimi, të rrisësh taksat mbi konsumin e duhanit dhe paralajmërimet shëndetësore, duke i standardizuar ato në paketat e cigareve. Qeveritë, Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizata e shoqata të tjera, duhet të bashkëpunojnë për t’ia arritur qëllimit.

Tri tezat në letër

Rrugën për të vënë në jetë idenë e tyre, studiuesit duan ta bëjnë publike në tri artikuj të ndryshëm me tri pika diskutimi e tematika bazë:

  1. Në 25 vitet e ardhshme, konsumi i duhanit u reduktua fillimisht nga pikat e mësipërme hap pas hapi, por nuk u ndalua tërësisht.
  2. Koordinimi mbarëbotëror dhe bashkëpunimi mes palëve, do të ishin të domosdoshme, edhe në vende si Kina, ku jeton një e treta e botës.
  3. Si rrënja e gjithçkaje të keqe besohet se është industria e duhanit. Ajo duhet mbikëqyrur e bërë transparente, ngaqë ajo në shumë vende po minon ligjet kundër duhanpirjes.

Strategjitë antiduhan, sipas mendimit të studiuesve neozelandezë, nuk të lënë shumë vend për shpresë. Në vitin 2014, 667 miliardë cigare shkuan në kioska e dyqane, e kjo i përgjigjet një rritjeje prej 2 deri në tetë për qind të sektorit të duhan-cigareve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pa-duhan-ne-vitin-2040/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala