Organizohet konsumim kolektiv i kanabisit në Gërmi?

Autori:Avdyl Pajaziti

“Share/Love – 4/20 Prishtina” është emri i një eventi të krijuar në Facebook, i cili përshkruan ngjarjen që jozyrtarisht njihet si “Dita Ndërkombëtare e Kanabisit”.

Termi 4/20 për herë të parë është përdorur në San Rafael, Kaliforni të SHBA-ve, në vitin 1971. Një grup njerëzish në San Rafael asokohe kanë pasur në plan që të kërkojnë për disa bimë kanabisi, për të cilët ata kishin dëgjuar.

Ata e kishin vendosur vendtakimin e tyre në një statujë afër një gjimnazi në atë qytet, çdo ditë, në ora 4:20.

Ky grup i referohej planit të tyre si “4:20”, term ky që më pas u përdorë si sinonim i konsumimit të marijuanës.

Duke u lidhur me këtë ngjarje, tash e sa kohë në disa vende të Amerikës më 20 prill të çdo viti mblidhen që të festojnë dhe konsumojnë kanabis, kryesisht në ambiente të hapura – parqe.

Si duket, kjo ngjarje amerikane pritet të manifestohet edhe në Kosovë.

Kështu të paktën lë përshtypje një event në Facebook, për të cilin pjesëmarrjen e kanë konfirmuar pothuajse 5000 persona, shkruan Koha.net.

“E hënë, 20 prill. Ora 16:20 ose 4e20 masdite. Gërmi. Kudo çoftë në Gërmi, por nese don detaje, pyet”, shkruhet fillimisht në eventin me titull “Share/Love – 4/20 Prishtina”, siç po e shihni me shumë gabime gjuhësore.

“Merrni të gjithë energjinë pozitive dhe po tubohemi për të shpërndarë dashni mes nesh. Jo për najsen, por, mundemi me e bo një thirrje për mos me e ndalu dashninë dhe për me e pas të drejtën me jetu ashtu qysh edhe dojmë. Këtë të drejtë mundemi me e pikturu me murale dhe mundemi me e festu me muzikë dhe të tjera gjana. Kështu që kushdo që ka dëshirë me lanë shenj me një mural ose me ndonjë track të mirë, mundet me u bashkangjitë. Festa fillon në orën 4 masdite ose 16:00. Ia qesim tymin nga 4e20 e tutje…”, shkruhet në përshkrimin e eventit.

Në fund, eventi lë një vegëz që të dërgon në faqen e Wikipedias që sqaron origjinën e këtij manifestimi dhe mënyrën si manifestohet, pra, me konsumim të marijuanës.

Aty janë bërë edhe disa postime me video që sqarojnë se si është manifestuar kjo ngjarje në disa vende tjera të botës, ku është konsumuar marijuana kolektivisht.

Ky event, sipas të dhënave të Facebookut, është organizuar nga një faqe me emrin “Prishtina Calling”, në përshkrimin e të cilës shkruhet:

“Prishtina Calling eshte nje nisme per me e bo qytetin per njerezit dhe me i shpernda zerat e ngjarjeve qe ndodhin ne Prishtine”.

Nuk dihet se si do të reagojë policia ndaj kësaj ngjarje, kur dihet se përdorimi i narkotikëve është i ndaluar me ligj në Kosovë.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me policinë, por zyrtarët policorë nuk i janë përgjigjur thirrjeve tona./koha.net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/organizohet-konsumim-kolektiv-i-kanabisit-ne-germi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala