Opozita zhbllokon kuvendin përkohësisht

Autori:Avdyl Pajaziti

Liderët e opozitës kanë pasur një takim, ku me gjithë rezervat e shprehura për MSA-në se ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera, është konfirmuar se opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në.

Kështu thuhet në një njoftim për media të Lëvizjes Vetëvendosje, në emër të opozitës, ku theksohet se kjo marrëveshje i ka edhe disa të meta që mund të kenë reflektim negativ në zhvillimin politik në vend, duke e pasur parasysh veçanërisht trajtimin që kjo Marrëveshje ia bën Kosovës, jo si shtet, dhe me denominimin kundërkushtetues të saj, ku Kosova paraqitet me fusnotë e pa emërtimin Republikë në të.

“Kjo e zhvendos Marrëveshjen në një rrafsh tjetër prej MSA-ve të nënshkruara nga shtetet tjera të rajonit”, thuhet në këtë njoftim.

“Kushtëzimi që i bëhet Kosovës në MSA me marrëveshjet me Serbinë është i padrejtë. Marrëdhënia e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian është e domosdoshme dhe e mirëpritur, por kjo marrëdhënie duhet të realizohet në kushte barazie dhe reciprociteti, e jo në atë të njëanshmërisë. Megjithatë kjo marrëveshje shënon një hap në marrëdhëniet kontraktuale me BE-në”, theksohet më tej në këtë komunikatë.

“Po ashtu nuk ka pasur asnjë kundërshti që Presidenti i Austrisë t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përkundrazi kjo është nder për Parlamentin”, potencohet në deklaratën e opozitës.

“Ky është një qëndrim parimor i Opozitës dhe nuk e ndryshon pozicionin e saj për marrëveshjet e Demarkacionit dhe Asociacionit, dhe kërkojmë nga shumica parlamentare që të mos provojë që në emër të gatishmërisë sonë për të mos bllokuar ratifikimin e MSA-së, të kontrabandojë tema të tjera në të njëjtën mbledhje. Në një situatë të tillë, përgjegjësia do të ishte e pozitës”, përfundon deklarata e opozitës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-zhbllokon-kuvendin-perkohesisht/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala