Opozita: Vazhdimi i seancës natën tensionon edhe më shumë situatën

Partitë opozitare edhe një herë kanë bërë thirrje që të mos vazhdohen seancat e Kuvendit pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Në një komunikatë të dërguar për media, partitë opozitare vlerësojnë se vazhdimi i seancës natën tensionon situatën më tutje.
“Kadri Veseli nuk e mbajti fjalën për 1 orë pauzë. Ai e shtyu pauzën deri në orën 20:00. Zhvillimi i seancës natën, nën rrethim policor të Kuvendit dhe nën masa të rrepta sigurie brenda Kuvendit, duke ndërruar sallën – me rrezikun që të mos i lejojë mediet brenda, do të shpie në tensionim të mëtutjeshëm të situatës”, thuhet në reagimin e partive opozitare.
Sipas opozitës, jo rastësisht Kadri Veseli zgjodhi natën për të vazhduar seancën.
“Ai po do që të tentojë vazhdimin e seancës natën, ngase nata ka qenë përherë koha e preferuar e tij, për të zhvilluar aktivitete kundërshtetërore”, konsideron Opozita.
“Opozita bën thirrje edhe njëherë që të mos vazhdohen seancat e Kuvendit pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Ne do ta mbrojmë Republikën dhe nuk pranojmë asnjë kompromis në këtë kauzë”, përfundohet në komunikatën për media të Opozitës.