Opozita: Thirrja e seancës do ta përkeqësojë gjendjen në vend!

Autori:Avdyl Pajaziti

Partitë opozitare janë shprehur të pakënaqura me vendimin e Kryesisë së Kuvendit, për thirrje të seancës pa prani të zyrtarëve opozitarë. Sipas përfaqësuesve të opozitës, një vendim i tillë është i paligjshëm dhe si i tillë do t’i thellojë edhe më shumë problemet.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe njëherësh drejtor i Marrëdhënieve me Publikun, Muharrem Nitaj ka shprehur dyshime nëse do të këtë seancë, për shkak se sipas tij, ata nuk kanë marrë asnjë ftesë zyrtare. Ai ka theksuar se nëse koalicioni ka vendosur të ketë seancë, kjo sipas tij është gabim.

“Nuk e di se si është thirrë mbledhja e Kuvendit, por nëse është thirrur duke përjashtuar deputetët e opozitës, ajo është kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe si e tillë është klandestine”, tha Nitaj për Gazetën Blic.

Po ashtu ai vlerëson se vendime të tilla nuk merren në asnjë vend në rruzull, duke shprehur bindje se informacioni për thirrje të seancës është i pavërtetë, raporton gazetablic.com

“ Nuk ka një vend në rruzull ku mbledhjet e parlamenteve caktohen vetëm për një pjesë të deputetëve. Unë po besoj se ky informacion nuk është saktë, sepse ndryshe nuk ta kap logjika”, tha ai.

Edhe sekretari i NISMA-s Billall Sherifi shprehet i çuditur me vendimin e Kryesisë për seancë pa marrëveshje me opozitën. Ai këtë gjë e sheh si të gabuar.

“Mendoj se është gabim të thirren seancat e rregullta të Kuvendit të Kosovës”, tha Sherifi për Gazetën Blic.

Thirrja e seancës në një situatë të tillë do ta përkeqësoj gjendjen, vlerëson Sherifi.

“Kjo paraqet sjellje arrogante dhe si e tillë nuk i kontribuon zgjidhjes së problemeve, përkundrazi vetëm sa do t’ thellojë ato. Përderisa marrëveshjet të jenë në fuqi edhe qëndrimi i opozitës do të mbetet i pandryshuar”, tha Bilall Sherifi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se të martën do të ketë seancë, derisa ka ftuar opozitën që të jetë pjesë e saj.

Madje, sipas tij, nuk ka asnjë arsye më që opozita ta bllokojë punën e Kuvendit.

“Opozita më nuk ka asnjë arsye që ta bllokoj Kuvendin. Presidentja e venditm, Atifete Jahjaga e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, dhe më opozita s’ka pse ta bllokoj Kuvendin”, ka thënë për Gazetën Blic, shefi i deputetëve të PDK-së. /Blic/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-thirrja-e-seances-do-ta-perkeqesoje-gjendjen-ne-vend/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala