Opozita nesër sërish bllokon Kuvendin

Autori:Avdyl Pajaziti

Partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nuk kanë ndërruar qëndrim lidhur me bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të të enjten (nesër) do të mbahet vazhdimi i seancës plenare, e cila u ndërpre për shkak se deputetët e opozitës, dolën para foltores së kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe bllokuan punën e Kuvendit.

Opozita po thotë se ata qëndrojnë fuqishëm prapa kërkesave të tyre.

Ata po kërkojnë nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheq nënshkrimin nga marrëveshja e arritur në Bruksel me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Gjithashtu ata po kërkojnë që shefi i ekzekutivit kosovar të rishqyrtojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në një prononcim për lajmi.net thotë se opozita po pret që Qeveria të reflektojë.

Ndryshe, thotë ajo, opozita do të vazhdojë të pengojë që të zhvillohen punimet e Kuvendit të Kosovës.

“Përderisa qeveria nuk ka reflektuar mbi kërkesat tona, që lidhet me marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi, rrjedhimisht edhe ne do të veprojmë njëjtë, do të thotë nuk do të lejojmë që të mbahen seanca (plenare) të rregullta, përderisa këto dy pika të rëndësishme nuk rishqyrtohen”, tha Kadaj-Bujupi.

E pyetur se nëse ka pasur ndonjë komunikim në mes të pozitës dhe opozitës për të arritur një marrëveshje lidhur me këtë situatë, Kadaj-Bujupi thotë se s’ka pasur asnjë përpjekje nga ana e pozitës, andaj opozita do të vazhdojë të bllokojë punimet e legjislativit.

“Po e them edhe njëherë, përderisa nuk ka asnjë përpjekje dhe reflektim nga ana e qeevrisë, ne nuk na mbetet tjetër vetëm të vazhdojmë dhe të mbrojmë fuqishëm kërkesat tona sepse vazhdimi eventual i tyre do të ketë pasoja afatgjata për vendim. Ne si deputet të mandatuar nga qytetarët nuk mund të lejojmë një gjë të tillë”.

Opozita nuk ka ndërruar qëndrimet lidhur me bllokimin e punës së Kuvendit, derisa nuk shqyrtohen kërkesat e tyre nga qeveria.

Por, Donika Kadaj-Bujupi thotë se partitë opozitare akoma nuk kanë vendosur se si do të veprojnë në seancën e së enjtes.

“Se si do të veprojmë nesër në seancë do tt’ju njoftojmë për detajet, pas takimit të përbashkët që do të kemi. Mirëpo në parim nuk ka asnjë ndryshim sepse ndryshimi është në duart e qeverisë”, tha Kadaj-Bujupi për lajmi.net.

Më 3 gusht në Bruksel, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nënshkruan një sërë marrëveshjesh, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilën, partitë opozitare në Kosovë po e kundërshtojnë. /lajmi.net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-snderron-mendje-neser-serish-bllokon-kuvendin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala