Opozita: S’lejojmë mbajtjen e seancës

Autori:Avdyl Pajaziti

Opozita kosovare ka deklaruar se nuk e kanë ndërmend të lejojnë mbajtjen e seancës së sotme të thirrur nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, për në orën 16:00. Sipas zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, do të ishte e pakuptimtë të lejohet mbarëvajtja e seancës në një situatë ku koalicioni qeverisës po e ndanë Kosovën.

“S’ka kuptim t’i lejojmë punimet e Kuvendit dhe funksionimin normal të Qeverisë, nëse vendi po shkon drejt ndarjes etnike”.

“Ne do ta vazhdojmë protestën në Kuvend dhe jemi të prerë që të mos lejojmë vazhdimin e seancës,” ka thënë Krasniqi për Klan Kosovën, duke shtuar se protesta do të vazhdojë derisa marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi të tërhiqen.

“Subjektet opozitare do të vazhdojnë protestën e tyre brenda Kuvendit të Kosovës. Kjo ngase Qeveria po vazhdon që me arrogancën e saj të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë si dhe demarkacionit me Malin e Zi”.

“Këto marrëveshje janë të papranueshme ngase cenojnë sovranitetin dhe funksionalitetin shtetëror si dhe ia humbin vendit mbi 8000 hektarë tokë”, ka pohuar Krasniqi.

I pyetur se çfarë do të ndodhte në rast se policia ndërhynë për t’i larguar ata nga salla, ai tha se kjo, do të paraqiste diçka tepër e rrezikshme.

“Kadri Veseli, para dhe gjatë seancës së kaluar e blindoi Kuvendin e Kosovës me roja dhe policë. Nëse vazhdon ndërhyrja policore në Kuvend dhe eventualisht rritet, ky do të ishte një precedent jashtëzakonisht i dëmshëm për demokracinë e vendit. Nuk mund të futet policia në Kuvend. Kjo do të ishte e papranueshme. Kjo do të tensiononte situatën jashtëzakonisht shumë,”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-slejojme-mbajtjen-e-seances/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala