Opozita (s)ka më argumente për ta bllokuar Kuvendin!?

Autori:Avdyl Pajaziti

Partitë opozitare, ndryshe prej disa seancave të kaluara, atë të sotmen – kur është ratifikuara MSA-ja – nuk e ka penguar. Ndonëse ka shprehur pakënaqësitë me këtë marrëveshje ndërkombëtare, Vetëvendosje, AAK e Nisma nuk e kanë penguar mbajtjen e seancës. Kësisoj, opozita ka djegur argumentin për ta bllokuar tutje Kuvendin.

Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, ka shprehur bindjen se opozita, duke mos e penguar procesin e votimit të saj, është bërë hisedare në ratifikim.

“Në nenet 5 e 13, MSA-ja imponon respektimin e të gjitha Marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Moszbatimi i secilës prej tyre, përfshirë Marrëveshjen për Asociacionin, i jep të drejtë BE-së ta pezullojë MSA-në”, ka thënë Krasniqi, raporton Koha.net. (nenet përkatëse, sikurse edhe marrëveshjen e plotë të MSA-së, të përkthyer në shqip mund ta lexoni KËTU:

http://www.mei-ks.net/repository/docs/Kosovo-EU_SAA_Final_SQ.pdf)

Nga ana tjetër, analisti Halil Matoshi ka thënë se opozita, nën drejtimin e VV-së, nuk e bllokoi seancën për ratifikimin e MSA-së, sepse kjo do t’i hakmerrej fuqishëm nga shoqëria kosovare, e cila, siç ka thënë Matoshi, është shumë e lidhur emocionalisht me perëndimin.

“Mirëpo, ajo nuk e votoi ratifkimin dhe kjo paraqet ‘time-out’ për Qeverinë dhe një humbje të lehtë të argumentit se Kuvendi duhet bllokuar për shkak të Asociacionit, ngase, MSA-ja që nuk u pengua, pikërisht e obligon Kosovën që të zotohet se do t’i zbatojë Marrëveshjet me Serbinë”, ka thënë Matoshi.

Shefi i Grupi Parlamentar i Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se duhet përshëndetur nënshkrimin MSA-së, por duhet shikuar se në ç’rrethana u nënshkrua kjo marrëveshje.

“BE, me fusnotë e ka lënë Kosovën në rajon të kontestueshëm, që do të thotë se Kosova varet edhe nga Serbia dhe sidomos nga Zajednica”, tha në fjalën e tij në Kuvend, shefi i deputetëve të LVV-së. “MSA nuk u kushtëzua me korrupsionin, me reformat në drejtësi dhe me luftën kundër krimit të organizuar. MSA erdhi vetëm për shkak të Marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë. E këto marrëveshje nuk bazohen në reciprocitete shtetëror. Me to Beogradit po i krijohet një instrument i fuqishëm në vendin tonë”, tha më tej Konjufca, teksa ka përmendur nenet 5 dhe 13 të MSA-së.

E, shefja e deputetëve të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, theksoi se substanca e kësaj marrëveshje ka shumë defekte, teksa ka ritheksuar sërish dy marrëveshjet, atë për AKS-në dhe atë Demarkacionit me Malin e Zi, si të dëmshme për Kosovën.

Në emër të Nismës për Kosovën, sot në Kuvendin e Kosovës ka folur Valdete Bajrami, që i prin grupit parlamentar të kësaj partie. Ajo tha se Nisma nuk është kundër MSA-së, por është kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-ska-me-argumente-per-ta-bllokuar-kuvendin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala