Opozita: Sekretari Kerry foli sikur ne

Autori:Avdyl Pajaziti

Mesazhet e sekretarit amerikan të Shtetit drejtuar lidershipit politik në Kosovë, janë lexuar ndryshe nga opozita. Sipas interpretimit të kësaj të fundit, sekretari Kerry dje foli me gjuhë të njëjtë siç po flet opozita tash e sa kohë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ishte shumë i qartë dje në kërkesat e tij adresuar lidershipit politik të Kosovës, e në veçanti në ato adresuar opozitës. Ai tha se Kuvendi nuk duhet të jetë vend ku hedhet gaz lotsjellës, por aty ku zhvillohet debat.

Pavarësisht kësaj, opozita ka një interpretim ndryshe për këto mesazhe. Vetëvendosje kërkon që vizita e Kerry-t të mos shfrytëzohet nga Qeveria. Ndërsa, AAK shkon edhe më tutje, duke thënë se fjalët që dje i tha sekretari Kerry janë të njëjta me ato që po i thotë opozita.

Në konferencën për media, Kerry tha se SHBA-të përgëzon lidershipin kosovarë për dialogun e zhvilluar në Bruksel, duke shtuar se SHBA nuk do të mbështeste asnjë marrëveshje që do të cenonte sovranitetin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që udhëheqësit e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, për t’i bërë gjërat, të ndryshojnë gjërat, gjatë dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim këto përpjekje. Mos u gaboni, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës”, tha Kerry, raporton lajmi.net.

Sekretari Kerry ka folur edhe për shenjtërinë e institucionit të Kuvendit, duke thënë se Kuvendi nuk është vend ku duhet hedhur gaz lotsjellës.

Por dhuna është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë.Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por, më lejoni të qartësoj: debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime”, tha Kerry.

Lidhur me vizitën e Sekretarit Kerry, dje është deklaruar edhe partia më e madhe në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje ka çmuar mbështetjen që SHBA i jep Kosovës por ka porositur që vizita e Sekretarit Kerry të mos shfrytëzohet nga Qeveria, të cilën ata e kanë cilësuar si “arrogante”.

“Mesazhi i zotit Kerry, sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit, është shumë i rëndësishëm. Dëshirojmë të vëmë në dukje se Kuvendi i Kosovës është cenuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica e cila po zhvillon një formë të diktaturës së numrave. Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amandamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet e Kuvendit, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi që zoti Kerry e cilëson të shenjtë”, thuhet në komunikatë.

“I bëjmë me dije opinionit publik se kundër këtyre marrëveshjeve qytetarët e Kosovës kanë nënshkruar një peticion me mbi 205 mijë nënshkrime, e megjithatë kjo qeveri nuk e ka marrë parasysh. Një qeveri e cila lidh marrëveshje mbi territorin e vet pa përfshirë opozitën, pa pyetur popullin, pa marrë parasysh peticione, nuk është qeveri demokratike dhe as transparente. Një qeveri e tillë nuk është sipas modelit të SHBA-së. Qeveri të tilla më shumë i ngjajnë modelit të zotit Mubarak në Egjipt, i cili po ashtu i përdorte takimet me zyrtarë të lartë perëndimorë për të fituar legjitimitet, ndërkohë që shtypte opozitën dhe varfëronte popullin”, thuhet tutje në komunikatën e VV-së.

Ndërkaq, një qëndrim pak më ndryshe, ka partia tjetër në opozita, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për lajmi.net se mesazhet të cilat dje i dha Kerry lidhur me Kuvendin dhe për demokracinë në vend, nuk i janë adresuar vetëm opozitës.

Ai tha se AAK gjithashtu është kundër gazit lotsjellës, ndonëse tashmë deputetja njëherësh shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi është në burg, pikërisht për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, raporton lajmi.net.

“Sigurisht i vlerësojmë krejt normale deklaratat e Sekretarit Kerry për zhvillimet në Kuvend e edhe për gazin lotsjellës sepse ky ka qenë edhe qëndrim i vazhdueshëm i AAK-së. Kryetari i AAK-së Haradinaj, disa herë e ka përsëritur se gazi në Kuvend nuk është as popullor as demokratik, por se kishte mbetur si masë e fundit kundër pushtetit qe tash e sa muaj, i ka shpallur luftë opozitës, duke mos i lënë instrument tjetër në dorë. Ne besojmë fuqishëm se porositë e Sekretarit Kerry, do të lexohen drejt nga Qeveria, e cila duhet t’i eliminojë shkaqet e krizës së thellë politike në Kuvend dhe në Kosovë në përgjithësi, në mënyrë që vendi t’i rikthehet normalitetit”, thotë Nitaj.

Duke iu referuar deklaratave të diplomatit amerikan se SHBA-të nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje që do të cenonte sovranitetin e Kosovës, Nitaj thotë se “e vlerësojmë vendosmërinë e SHBA-ve për të mos mbështetur asnjë marrëveshje që cenon sovranitet e Kosovës. Ky mesazh i është dërguar të gjithëve dhe jo specifikisht një pale”.

Kuvendi i Kosovës, tash e sa muaj është duke u bllokuar nga partitë opozitare. Opozita ka hedhur vezë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa dhe Qeverisë, shishe me ujë, gaz lotsjellës.

Deri më tash janë arrestuar deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh; Haxhi Shala, Fisnik Ismaili, Ismajl Kurteshi kanë “shpëtuar” më lehtë, duke iu shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj.

Ndërkaq në arrati vazhdon të jetë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. /lajmi.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-sekretari-kerry-foli-sikur-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala