Opozita nuk do të lejojë seancë as për buxhetin

Autori:Avdyl Pajaziti

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës e ka shqyrtuar në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e tij në lexim të parë. Por, mbetet e paqartë se kur mund të miratohet në Kuvendin e Kosovës ky projektbuxhet, duke marrë për bazë zotimin për bllokimin e seancave të Kuvendit.

Opozita është e vendosur që të mos lejojë vazhdimin normal të punës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Në bazë të procedurave ligjore, fundi i tetorit është koha kur Qeveria duhet të miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal, kurse deri në fund të dhjetorit duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidentja Jahjaga.

Në mungesë eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave, në tre muajt e parë, shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak. Por, bllokada e punës së Kuvendit mund të çojë në prishjen e marrëveshjes “stand-by” mes Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Pasi e gjithë kjo duhet të përfundohet në javën e parë të muajit dhjetor. Ky afat lidhet direkt me mbledhjen e bordit ekzekutiv të FMN-së, që do të mbahet në mesin e muajit dhjetor e i cili duhet të votojë për rivlerësimin e marrëveshjes./Zeri/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-nuk-do-te-lejoje-seance-as-per-buxhetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala