Opozita nuk do ta votojë MSA-në

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbledhja e radhës e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të hënën. Në këtë mbledhje për dallim nga ato të kaluarat nuk pritet të ketë gazë lotsjellës, pasi që opozita është pajtuar që mos ta pengojë miratimin e projektligjit të Stabilizim Asocimit (MSA).

Por përkundër kësaj, tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën as nuk do të votojnë pro projektligjit të MSA-së.
Burime të ORAinfo bëjnë të ditur se partitë opozitare pavarësisht se nuk do të pengojnë mbajtjen seancës për MSA-në, ato janë pajtuar që mos të votojnë pro saj.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se partitë opozitare madje në këtë seancë pritet të përfaqësohen me nga vetëm një deputetë.
“Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, janë pajtuar që në seancës e së hënës të dërgojnë vetëm nga një përfaqësues dhe të njëjtat janë pajtuar mos të votojnë për MSA-në. Arsyeja e mos votimit të MSA-së është se BE me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje nuk e ka trajtuar Kosovën si shtet”, ka thënë burimi.

Të kontaktuar nga ORAinfo përfaqësuesit e partive opozitare nuk e kanë mohuar mos-votimin për MSA-n.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për ORAinfo se për sa i përket votimit, ende nuk ka një qëndrim nëse deputetët do të votojnë apo jo, sepse akoma nuk e kanë projektligjin për MSA-në.

“Madje ky projektligj nuk ka kaluar as në Komisionin për Integrime, në mënyrë që më pastaj të procedohej në seancë plenare!”, ka thënë Nitaj.
Ai ka thënë se ajo çka dihet tash është se deputetët e opozitës nuk do ta pengojnë procesin e votimit për ratifikimin Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Kërkesë jona është që mbledhja ku do të ratifikohej MSA-ja, të mos ketë pika të tjera për shqyrtim dhe që shumica të mos provojë të përfitojë nga përcaktimi ynë për të mos penguar seancën për MSA-në”, ka thënë Nitaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka thënë për ORAinfo se të hënën do të bëjnë të qartë qëndrimin për këtë çështje.
I vetmi deputet i opozitës që do të votojë pro MSA-së është deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, i cili kohën e fundit ka dalë hapur kundër veprimeve të opozitës. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opozita-nuk-do-ta-votoje-msa-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala